Njoftim i përbashkët për shtyp nga EuroNatur, EcoAlbania dhe Riverwatch
++ Një luginë e tërë ngrihet kundër devijimit të ujit të saj: Të shtunën, më 24 shkurt, kryepleqtë e fshatrave nga Lugina e Shushicës u mblodhën për të protestuar kundër planeve shkatërrimtare për Shushicën ++ Qeveria shqiptare dëshiron të devijojë ujin nga dega e Vjosës ++ Parku Kombëtar i Vjosës në rrezik pas vetëm një viti ++
24.02.2024. Radolfzell, Vjenë, Tiranë, Kuç. 12 kryepleq të fshatrave dhe banorë të shumtë të luginës së Shushicës dhe rajoneve të tjera të Parkut Kombëtar të Vjosës, aktivistë, avokatë dhe shkencëtarë u mblodhën këtë mëngjes në fshatin Kuç në brigjet e lumit Shushicë. Ata po protestojnë kundër planeve të qeverisë për të marrë ujin nga Shushica dhe për ta kanalizuar atë në bregdetin Jonian 17 kilometra larg në Himarë për të nxitur turizmin masiv atje.
I shpallur zyrtarisht në Mars të vitit 2023, Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa përfshin Vjosën dhe degët kryesore të saj, bashkë me Shushicën. Megjithatë, më pak se një vit më vonë, Shushica përballet me heqjen e mundshme nga statusi i mbrojtur, duke çuar në “amputimin” e Parkut Kombëtar të Vjosës. Devijimi i propozuar prej 140 litra ujë në sekondë nga Shushica do të thajë plotësisht pjesën e sipërme të lumit gjatë verës. Kjo përbën një kërcënim të rëndësishëm për biodiversitetin dhe ka pasoja të rënda për popullsinë vendase në rreth 30 fshatra të prekur. Ndërhyrja mund të çojë në përjashtimin e Shushicës nga Parku Kombëtar, pasi masa të tilla janë të ndaluara në këtë kategori mbrojtjeje, duke i privuar komunitetit lokal përfitimet e pritshme nga ekoturizmi.
“Kishim shpresa të mëdha për Parkun Kombëtar dhe prisnim se do të nxiste zhvillimin ekonomik. Duke pasur parasysh sfidat e rajonit tonë me emigrimin, ngritja e Parkut Kombëtar premtonte një ndryshim transformues për ne. Megjithatë, nëse uji ynë tani hiqet dhe Shushica humbet statusin e Parkut Kombëtar, e ardhmja jonë ekonomike do të jetë në rrezik.”, shprehet Elidon Kamaj, kryeplak i fshatit Brataj.
Projekti financohet nga Banka Gjermane për zhvillim, Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW) dhe Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) ndërsa kompania austriake STRABAG po kryen punimet e për ndërtimin. Miratimet nga ministria dhe financimi u bazuan në një vlerësim krejtësisht të dobët të ndikimit mjedisor dhe social (ESIA). Ndër të tjera nuk janë analizuar pasojat e projektit për lumin e Shushicës dhe nuk janë informuar banorët përgjatë Shushicës. Shkencëtarët kombëtarë dhe ndërkombëtarë që shqyrtuan këto analiza arritën në përfundimin se “Rezultatet janë keqinforumese dhe të pasakta”.
Astrit Balilaj, kryeplak i fshatit Kuç tha: “Ne nuk do të rrimë duarkryq teksa na vidhet uji. Ky projekt nuk na u komunikua kurrë; Ekzistenca e saj doli në dritë vetëm kur u shfaqën makineritë e ndërtimit. Ne nuk do të tolerojmë që uji ynë të hiqet dhe jemi të përgatitur të ndërmarrim veprime për të ndalur ndërtimin.” Më shumë se 50 banorë ngritën një padi kundër këtij projekti së bashku me organizatën shqiptare të ruajtjes së natyrës EcoAlbania. Seanca e parë gjyqësore nuk është zhvilluar ende.
Rreziku qëndron në mundësinë që devijimi i ujit në Shushicë të krijojë një precedent. Veprimet që po zhvillohen sot në Shushicë mund të përsëriten nesër në pjesë të tjera të parkut kombëtar. Besueshmëria e të gjithë Parkut Kombëtar të Lumit të Egër është në rrezik”, thotë Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
“Parku Kombëtar i Lumit të Egër bazohet në një ekuilibër ujor kryesisht natyror dhe të patrazuar në rrjetin e tij lumor. Kjo është ajo që e bën këtë zonë kaq unike, prandaj këtu vijnë njerëz nga e gjithë Evropa. Ky projekt devijimi, pra, rrezikon të gjithë Parkun Kombëtar. Gjermania dhe WBIF duhet të tërhiqen nga projekti nëse Shqipëria nuk ndalon menjëherë punimet e ndërtimit dhe të urdhërojë një Vlerësim të ndikimit në Mjedis të vërtetë”, thotë Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch.
“Qeveria shqiptare ndoshta ka menduar se ne do të mbyllim sytë ndaj një ose dy projekteve që shkatërrojnë natyrën në këmbim të shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, por ne nuk do të bëjmë kompromis. Nuk do të dorëzohemi derisa Vjosa dhe degët e saj të jenë vërtet të sigurta!”, thotë Annette Spangenberg, Shefe e Ruajtjes së Natyrës në EuroNatur.
Kërkesat e përbashkëta të banorëve lokalë, kryepleqve, shkencëtarëve dhe aktivistëve mund të përmblidhen si më poshtë:
1. Të ndalohet menjëherë ndërtimi.
2. Të kryhet një vlerësim i ri i ndikimit në mjedis.
3. Të identifikohen dhe analizohen burimet alternative ujore për zonën bregdetare përreth Himarës si pjesë e EIA-s, me ndihmën e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.