12 shkurt 2024, Bishan,Vlorë. Në një përpjekje për të ndërgjegjësuar dhe edukuar nxënësit rreth rëndësisë së ruajtjes së mjedisit dhe biodiversitetit, nxënësit e shkollës “Kafil Malaj” në Bishan morën pjesë në një orë argëtuese dhe edukative të fokusuar në sfidat e mbrojtjes së mjedisit si dhe kryen matje për ndotjen e nivelit akustik.
Në këtë aktivitet, nxënësit u angazhuan në një eksplorim të thellë të sfidave që mjedisi ynë përjeton, duke u përqendruar veçanërisht në ndikimin e ndotjes së zhurmës. Nëse një ndërhyrje e vogël mund të shkaktojë shqetësime për të gjithë ne, për një faunë të ndjeshme siç është ajo e pyjeve, ndikimi mund të jetë shumë më i madh.
Një aspekt kyç i aktivitetit ishte përdorimi i pajisjeve për matjen e nivelit të zhurmës. Për këtë qëllim, nxënësit përdorën pajisje të specializuara që i mundësuan atyre të matnin nivelet e zhurmës në ambiente të ndryshme. Kjo eksperiencë praktike u ofroi nxënësve një kuptim më të thellë të impaktit të zhurmës në mjedis dhe në jetën e gjallesave shtazore në pyje.
Rezultatet e matjeve treguan se nivelet e zhurmës mund të jenë mjaft të larta, veçanërisht në zonat e urbanizuara. Nxënësit i shënuan këto rezultate dhe u motivuan të ndërmerrnin masa për të përmirësuar situatën.
Edukojmë dhe veprojmë për mjedisin tonë – për një të ardhme më të qëndrueshme për të gjithë!