Nouria Newmann – Vajza që vërteton se kajaku ka të bëjë me ndjenjën dhe jo me forcën

Nouria Newman nuk do asgjë më shumë se kajakimin në lumenj të rrëmbyeshëm, në të gjitha format e tij, si në stil të lirë, me pengesa apo kajakim ekstrem. Edhe pse garat kanë qenë gjithmonë pjesë e karrierës së saj në kajak ( Kampione e Botës për të rinjtë e Kajakut në stil të lirë në 2009, Kampione e Botës e Kajakut me pengesa në 2013, Kampione e Botës e Kajakut ekstrem në 2013 dhe 2014), ajo nuk e zëvendëson me asgjë të qenit në një lum të bukur bashkë me miqtë e saj.

Turi i lumenjve të Ballkanit

Nouria Newmann

“Le Villaret du Nial”. Njerëzit gjithmonë bëjnë një fytyrë qesharake kur u them se nga cili vend vij: një fshat në Francë të cilin ata nuk e njohin sepse nuk ka më shumë se dhjetë shtëpi, nuk ka dyqane dhe praktikisht nuk ka asgjë për të bërë përveçse të shijosh Parkun Kombëtar dhe malet shumë pranë shtëpive. Kur isha fëmijë gjithmonë luaja jashtë. Gjatë dimrit ne bënim “banesa eskimeze” ose ski, ndërsa gjatë verës ngjiteshim në shkëmbinj të vegjël, zbulonim shpella të reja ose notonim tek përroi…

Le Villaret du Nial ishte një vend magjik për tu rritur…derisa magjia u zhduk. Në pranverë të vitit 2000 ne nuk pamë më ujin blu të kristaltë të liqenit kur mbyllëm dritaren. Në vend të tij pamë një fushë të madhe balte. Ata zbrazën liqenin për të bërë disa riparime për digën. Pjesa më e vështirë nuk ishte ajo pamje, por të shihje fqinjin tim Paul-in. Në momentin që uji filloi të pakësohej, ai ndryshoi. Sa më shumë pakësohej uji, aq më shumë mërzitej ai. Pas disa javëve ne filluam të shihnim rrënojat. Paul-i dikur jetonte aty. Në vitin 1952 u ndërtua një digë e madhe dhe qyteti i vjetër i Tignes-it u përmbyt. Si shumë banorë të tjerë Paul-i u përpoq të rezistonte. Ai qëndroi në shtëpinë e tij deri në momentin e fundit dhe humbi një pjesë të madhe të gjërave që kishte.

Atë vit e kuptova çfarë ishte një digë në të vërtetë. Unë kuptova që nuk e mbante diçka e mbinatyrshme ujin, por diga prej betoni. Kuptova që ishte shumë e rrezikshme të luaje në liqenin e vogël mbrapa shtëpisë sepse tani aty ishte një digë me shkarkime automatike direkt sipër nesh dhe  lumi tek i cili ushtroja kajakun nuk rridhte lirshëm, por ishte në funksion të shkarkimeve të digës.

Gjatë kohës së Depresionit të Madh ose gjatë luftës, krijimi i digave dukej një ide e mirë. Dukej e logjikshme disa dekada më parë, por tani jo më. Hidro-energjia nuk është energji e pastër. Digat – sado të vogla të jenë – ndikojnë në mjedis. Një digë kufizon transportin e sedimenteve, ndryshon temperaturën e ujit dhe kufizon migrimin e peshqve. Ai ndryshon në mënyrë drastike gjithë ekosistemin dhe çon në zhdukjen e specieve të rrezikuara. Hidro-energjia, gjithashtu ka kosto të larta. Shumë diga janë ndërtuar në zona të largëta dhe përfshijnë prerjen e pemëve, ndërtimin e rrugëve dhe linjave të energjisë. Dhe energjia e prodhuar nga këto diga nuk është aq e vlefshme sa për të shkatërruar një lum të rrjedhshëm.

Kur isha 5 vjeç, unë u dashurova me sportin e kajakut. Ai më çoi në vende të mrekullueshme. Ndihem shumë me fat që kam mundësinë të vozis në disa lumenj të rrjedhshëm, por mërzitem me faktin se duhet të shoh se në gjithë lumenjtë e vendit tim janë krijuar diga dhe se ka njerëz që nuk kanë vozitur asgjë veçse një lum artificial. Lumenjtë e rrjedhshëm ku ushtrohet kajaku më kanë dhënë një lumturi që asgjë tjetër nuk ma ka dhënë në jetë dhe shpresoj që të gjithë të kenë mundësinë të provojnë forcën e ujërave të vrullshëm dhe energjinë e një lumi të rrjedhshëm.

Unë mundem vetëm të mbështes projekte si Turi i lumenjve të Ballkanit dhe shpresoj se do të ketë shumë persona që do t’i bashkohen aktiviteteve të turit!

Turi i lumenjve të Ballkanit është një aktivitet i përbashkët i Leeway Collective, EuroNatur, Riverwatch, dhe WWF, i organizuar në kuadër të fushatës “ Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës”. Pa marrë në konsideratë zonat e mbrojtura, speciet në zhdukje apo komunitetet lokale, janë planifikuar të ndërtohen rreth 2700 diga për hidrocentrale midis Sllovenisë dhe Shqipërisë. Me këtë fushatë, ne duam të ndalojmë tsunamin e ndërtimit të digave.

Zbulo më shumë këtu: http://www.balkanrivers.net/ dhe http://www.balkanriverstour.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *