Miqtë e Vjosës kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë

Grupimi “Miqtë e Vjosës”, grupimi “Të mbrojmë lumenjtë” dhe aktivistë të shoqërisë civile, kanë protestuar sot para piramidës në Tiranë, për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për dhënien e koncesionit të hidrocentralit te Pocemit mbi lumin Vjosë.

Në buletinin zyrtar të Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve Publike është publikuar me date 1 shkurt njoftimi për hapjen e procedurës për dhënien me konçesion 35 vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa. Ndërkohë më parë, në 29 korrik 2015, Qeveria miratoi pranimin e një kërkese të pa kërkuar nga kompania turke Çinar-San për ndërtimin e këtij projekti. Kompania në fjalë, ka fituar të drejtën e një bonusi prej 8 % edhe pse është një kompani me kapacitete modeste dhe nuk ka përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të hidrocentraleve, apo të energjisë në përgjithësi.

Gjatë protestës para piramidës në Tiranë. (c) EcoAlbania

Kërkesës së banorëve të luginës së Vjosës për shpalljen e saj Park Kombëtar, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, Kryeministri Rama i është përgjigjur pozitivisht duke premtuar se: “Do transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizmi nga hidrocentralet dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjare duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës.”

Por me sa duket, barbarizmi mbi lumin Vjosë- zemrën blu të Evropës fatkeqësisht vazhdon duke shkatërruar në mënyrë përfundimtare një nga vlerat më të mëdha të trashëgimisë  natyrore kombëtarë dhe Evropiane.

“Ky është një vendim i marrë në arbitraritet të plotë duke shpërfillur mesazhet e qarta nga BE por edhe nga ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri dhe Evropë” thotë Olsi Nika, përfaqësues i EcoAlbania dhe koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Beteja për lumin Vjosa tashmë nuk është më vetëm një çështje kombëtare por edhe Evropiane, pasi Vjosa përfaqëson një ekosistem unik në të gjithë kontinentin.

Ndërtimi i HEC-it në Poçem do t’i jepte fund vizionit për parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë dhe do të minonte zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e gjithë luginës së Vjosës.

Ne kërkojmë sot:

  1. Anulimin e te gjitha koncesioneve e hidrocentraleve qe janë dhëne apo janë ne proces për t’u ndërtuar mbi lumin Vjosa dhe degët e saj.
  2. Shpalljen e luginës se Vjosës Park Kombëtar i cili do të përbente parkun e pare të një lumi natyror në Evropë dhe do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të të gjithë luginës.
  3. Të merret parasysh kërkesa për moratorium 3 vjeçar mbi HEC-et mbi të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, i cila do t’i jepte kohën e mjaftueshme ekspertëve dhe vendim-marrësve për të vlerësuar në mënyre shkencore dhe racionale përfitimet dhe humbjet nga ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.
  4. Institucionet përkatëse shtetërore të ndërmarrin hartimin e një Master-plani që do të përcaktonte sipas kritereve të caktuara zonat ku mund dhe nuk duhet të ndërtohen hidrocentrale. para se të jepen lejet për HEC-e.

Informacion shtesë mund të gjeni këtu:

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *