KE rekomandon çeljen e negociatave në një mjedis aspak “Evropian”

++ Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë – Gjatë 2017, mjedisi mbeti një nga fushat më problematike ++

Komisioni Evropian publikoi dje Raportin e vitit 2017 për Shqipërinë, sipas të cilit mjedisi vazhdon të jetë një nga fushat më problematike.  Raporti thekson se Shqipëria megjithëse ka bërë disi progres sa i përket përafrimit të politikave dhe legjislacionit me acquis, duhet të bëjë përpjekje serioze për implementimin dhe zbatimin e tyre. Në raport theksohet se Shqipëria duhet ende të përparojë në fushën e përafrimit dhe implementimit të legjislacionit horizontal mjedisor.

Në raport përfshihet çështja e hidrocentraleve të reja të ndërtuara në zonat e mbrojtura dhe theksohet si prioritet në fushën e mjedisit për vitin vijues nevoja për forcimin e procesit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, veçanërisht për sektorin e hidrocentraleve. Paralelisht, paraqitet problematike edhe konsultimi publik, për të cilin nevojitet përpjekje në drejtim të pjesëmarrjes dhe realizimit të një procesi efektiv të konsultimit të publikut, në kuadër të procesit të vendimmarrjes, veçanërisht në nivel lokal.

EU-Albania

Një ndër problematikat më të mëdha në fushën e mjedisit, sipas raportit vazhdon të jetë mungesa e një kuadri ligjor dytësor për përgjegjësinë mjedisore dhe lejet e kërkesat e parregullta, gjë e cila pengon krijimin e një procesi të drejtë dhe vlerësimin e përgjegjësisë mjedisore për dëmtimin e mjedisit.

Rekomandimet sa i përket zhvillimeve në fushën e mjedisit vijojnë të jenë të ngjashme me ato të viteve të fundit. Problematikat e lidhura me ndërtimin e HEC-eve janë përmendur edhe në raportet e mëparshme të Komisionit Europian dhe kanë qenë në vëmendjen e Komunitetit Europian edhe më herët. Në vitin 2014 Parlamenti Europian miratoi Rezolutën për Progres-Raportin e vitit 2014 të Shqipërisë. Me anë të kësaj rezolute në pikat 26 dhe 27 PE i kërkon Qeverisë Shqiptare të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në gjithë zonat e mbrojtura dhe në mënyrë të veçantë në Lumin Vjosa dhe degët e tij.

Raporti i KE për vitin 2017 u publikua në të njëjtën ditë me dhënien e vendimit për rekomandimin e hapjes së negociatave me kusht për Shqipërinë, për anëtarësimin në BE. Qytetarët shqiptarë presin që qeveria t’i ndjekë dhe zbatojë me prioritet rekomandimet e Raportit si kusht për integrimin në BE.