Jo diga në Vjosë, Jo digës së Poçemit

14.07.2016, Poçem, Mallakastër. Banorët e luginës së Vjosës, kryesisht nga Kuta e Mallakastrës protestuan sot në rrugën nacionale Levan-Tepelenë pranë fshatit Poçem kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës. Kjo nuk është protesta e parë që ata organizojnë ku me mbështetjen e organizatave mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare e kanë kundërshtuar që nga fillimi ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe i kanë kërkuar qeverisë shqiptare shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe mos lejimin e ndërtimit të asnjë HEC-i në gjithë luginën.

Banorët e fshatit Kutë gjatë protestës kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit. (c) O. Nika / EcoAlbania

Protesta e radhës është nxitur nga zhvillimet e fundit në urën e Poçemit ku kompania turke, fituese e koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës ka filluar punën, duke piketuar zonën ku do të ndërtohet diga dhe duke filluar studimet në terren. Por banorët nuk e kanë lejuar të vazhdojë më tej, duke i detyruar ekspertët e kompanisë të largohen nga vendi ku planifikohet të ndërtohet diga. Ata nuk janë informuar paraprakisht për projektin dhe nuk janë bërë pjesë e procesit të vendim-marrjes. Të gjendur përballë një fakti ata janë mbledhur sot, më të shumtë në numër dhe të bashkuar për t’i kërkuar qeverisë të kthejë sytë nga ata të cilët kanë lidhur jetën me lumin dhe shohin tek ai një potencial tjetër zhvillimi.

Tokat pjellore të luginës së Vjosës i ofrojnë atyre të ardhurat për të siguruar jetesën dhe lumi në vetvete furnizon fshatrat me ujë të pijshëm dhe për vaditje, për më tepër siguron zhvillimin e peshkimit dhe të turizmit në këtë pjesë kaq të pasur dhe dinamike të tij. Shumë turistë do të merrnin rrugën nga vendet e largëta vetëm për të parë e përjetuar ndjesinë që të jep shijimi i peizazhit të një lumi natyror- të lumit të fundit të egër në Evropë.

Ndërsa ndërtimi i këtij hidrocentrali me digë 25 m të lartë, do të përmbytë fshatrat Kutë, Çorrush, Anëbreg, Shkozë, Sevaster, si dhe shumë fshatra të tjerë dhe do të shkaktojë probleme të shumta sociale dhe mjedisore. Po ashtu do të shkatërrojë jetën e banorëve duke përmbytur mijëra hektar tokë buke, kullotat, ullishtet etj.  EcoAlbania në vazhdën e përpjekjeve për ndërgjegjësimin e komunitetit lokal për t’u bërë pjesë e procesit të vendim-marrjes, ka nxitur banorët të reagojnë. Banorët të mbështetur dhe nga qeverisja vendore kërkojnë të respektohet e drejta për informimin dhe pjesëmarrjen në vendim-marrje. Kërkesat e tyre komuniteti lokal i ka shprehur edhe përmes peticionit drejtuar Qeverisë Shqiptare.

Rreth 2000 banorë të rrezikuar direkt nga kjo digë kanë firmosur një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë Shqiptare të ndalojnë projektin e hidrocentralit të Poçemit dhe përmbytjen e zonës së Kutës dhe gjithë fshatrave të rrezikuar. Të ndalojnë të gjithë projektet hidro-energjitike dhe të shpallin Vjosën Park Kombëtar, sipas standardeve Evropiane.

EcoAlbania po zbaton projektin AKTIV, i cili realizohet në kuadër të programit LëvizAlbania me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri dhe ka si qëllim rritjen e pjesëmarrjes aktive të publikut në vendim-marrje, për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *