Zhulat, 09 Shkurt 2020. Në vijim të takimeve me banorët e fshatrave që preken nga ndërtimi i HEC-eve, EcoAlbania zhvilloi takimin e rradhës në fshatin Zhulat të Gjirokastrës. Në këtë takim morën pjesë banorët e fshatit Zhulat, përfaqësues të EcoAlbania-s dhe medias lokale, si dhe aktivistë. Diskutimi u përqendrua tek çështja e ndërtimit të hidrocentralit në Taroninë dhe eksperienca e mëparshme e EcoAlbania-s në mbrojtje të lumit Vjosa.
HEC Taronina, është planifikuar të ndërtohet në fshatin Taroninë nga shoqëria ndërtuese TARONINA HYDROPOWER. Në projektin e hidrocentralit, konkretisht planifikohet që dy veprat e marrjes së ujit do të jenë në dy lumenjtë e vegjël të Zhulatit dhe Zhulit, të dy degë të lumit të Kardhiqit. Zona e Kardhiqit është shpallur Rezervat Strikt Natyror/Rezervat shkencor me VKM Nr. 102, datë 15.01.1996.
Banorët shprehen të shqetësuar për situatën dhe njëzëri kundër ndërtimit të HEC-it. Ato kërkuan llogaridhënie nga organet e qeverisjes vendore dhe qendrore. “Ne jemi të gatshëm të mbrojmë lumin me të gjitha mënyrat” u shprehën ato. Ato kërkuan mbështetjen e medias, për të bërë publik shqetësimin e tyre dhe situatën aktuale.
Njësia Administrative Cepo ka afërsisht 3000 banorë, të cilët përdorin ujërat e lumenjve Zhulat dhe Zhul dhe ndërtimi i HEC-it në Taroninë do të shteronte përgjithmonë ujërat e këtyre dy lumenjve. Gjithashtu, shfrytëzimi pa kriter i tyre, do të zhdukte çdo gjallesë në lumenj dhe do të linte djerrë tokat përreth.
Bazuar në eksperiencën e mëparshme, në betejën për mbrojtjen e lumit Vjosa, banorët u inkurajuan të vazhdojnë rezistencën dhe të nisin betejën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe pasurive natyrore të zonës. Të dyja të lidhura fort me njëra-tjetrën për t’ia dalë me sukses sfidës së mbrojtjes së mjedisit dhe lumenjve kudo në Shqipëri.
Informacion shtesë:
Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit “Ti japim zë mbrojtjes së lumenjve”, i cili ka si qëllim ndarjen e ekpseriecës së fushatës për mbrojtjen e Vjosës, për të motivuar dhe mobilizuar komunitetet në mbrojtje të lumenjve. Ky ishte takimi i dytë me komunitetet e prekura nga zhvillimi i hidrocentraleve në vend dhe do të pasohet me 8 takime në zona të tjera të prekura.