Grupimi “Të mbrojmë Lumenjtë” edhe pse jo-formalisht ka filluar të operojë si i tillë që në 2015 duke koordinuar aksione të përbashkëta: lobimi, advokimi, reagimi qytetar etj përkundrejt bumit të madh të ndërtimeve të Hece-ve. Në dekadën e fundit nisur më tepër nga direktiva politike, sesa nga studime të mirëfillta shkencore, planifikimi i më shumë se 500 HEC-eve të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë rezulton të jetë një presion i jashtëzakonshëm mbi lumenjtë tanë.
Organizatat duke gjetur edhe përkrahjen e organizatave ndërkombëtare kanë reaguar në lidhje me situatën duke ndërmarrë aksione, fushata e projekte të përbashkëta të cilat konsistojnë në kërkesën e llogarisë ndaj vendim-marrësve dhe rritjen e presionit për të ri-konsideruar planet e ndërtimit të HEC-eve.
Organizatat mjedisore pjesë e grupimit u mblodhën më 9 shtator 2016 për të formalizuar grupimin dhe për të diskutuar mbi hapat e ardhshme dhe iniciativat e përbashkëta. Takimi i radhës synonte nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes organizatave nismëtare të këtij grupimi dhe organizatave të reja që kanë shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar grupimit.
Memorandumi ka si qëllim të tij të krijojë një kuadër bashkëpunimi midis organizatave anëtare dhe të lehtësojë ndërveprimet e tyre, mbi një bazë jo-ekskluzive, në fusha të interesit të përbashkët, veçanërisht në monitorimin dhe nxitjen e zbatimit të legjislacionit horizontal mjedisor me qëllim sigurimin dhe ruajtjen e burimeve ujore. OJF-të, me anë të kësaj Marrëveshjeje bien dakord të kombinojnë burimet njerëzore, financiare dhe logjistike, si dhe përpjekjet e tyre me qëllim maksimizimin e arritjes së objektivave të përbashkëta.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit Forcimi i Legjislacionit Evropian dhe Promovimi i OSHCve (Help_Cso) i cili zbatohet nga Milieukontakt Shqiperi, EcoAlbania dhe LexFerenda dhe mbështetet financiarisht Bashkimi Evropian nëpërmjet programit ACHIEVE i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.
Nga Besjana Guri/ EcoAlbania & Rrezearta Ago/ Milieukontakt Shqipëri