Pavarësisht bllokimit të shkaktuar nga COVID-19, profesorë, gazetarë, operatorë turistik dhe dashamirës së mjedisit u bënë bashkë për të propozuar hapat e radhës mbi ndalimin e planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë.
Përmes një takimi online të zhvilluar në datën 7 maj, “Miqtë e Vjosës” vunë në dukje se koronavirusi i ri nuk ka penguar kompaninë që ka fituar koncesionin e HEC Kalivaç të avancojë me proceduarat e pajisjes me leje mjedisore, ndaj dhe të pranishimit vendosën një intensifikim të fushatës për t’i thënë “jo” ndërtimit të digave mbi lumin e fundit të egër në Evropë.
Prof. Aleko Miho, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës e vuri theksin te peticioni me 776 firma nga shkencëtarët e vendeve të ndryshëm të Evropës. ”Pasi ne dorëzuam peticionin te Presidenti i Republikës planifikuam edhe një tryezë që do të bënte bashkë gjithë aktorët e vendimmarrjes për t’i ballafaquar me vlerat e larta natyrore që paraqet ky lumë i jashtëzakonshëm”,-tha prof.Miho. “Situata me virusin e ka shtyrë në kohë këtë tryezë, por komuniteti i shkencëtarëve nuk do tërhiqet për të kundërshtuar këtë “gjigand të dehur”, -shtoi më tej ai, duke iu referuar kryeministrit, Edi Rama.
Përfaqësuesit e EcoAlbania, prezantuan edhe një herë fushatën Solar në Kutë – nismën e EcoAlbania për të mbështetur komunitetin e fshatit Kutë në betejën kundër hidrocentralit të Poçemit. Fillimi i së cilës gjithshtu është shtyrë për shkak të situatës së pandemisë, por do të bëhet publike së shpejti në platformat online.
Kreu i Shoqatës së TurOperatorëve Shqiptarë, Rexhep Kasmi garantoi mbështetjen e shoqatës që përfaqëson, duke theksuar nevojën për bashkimin e të gjithë kontributeve. Po ashtu, ai tha se peticioni i shkencëtarëve duhet amplifikuar edhe më tepër, në mënyrë që të ketë efekt maksimal. “Gjithashtu, duhet ‘luftë’ frontale në media, me fakte dhe pasqyrimin e gjithë resurseve si dhe me institucionet ndërkombëtare”,-tha Kasmi. “Edhe procedura për shpalljen zonë të mbrojtur, duhet të thellohet”,-shtoi ai, duke theksuar vlerat e larta për zhvillimin e turizmit përgjatë luginës së Vjosës.
Ndërkaq, gazetari i mirënjohur Ben Andoni propozoi zhvillimin e një debati publik me kryeministrin, të cilin e cilësoi si personin e vetëm që merr vendime. “Duhet një ballafaqim për ta përballur me faktet, vlerat e Vjosës dhe adresimin e të ardhmes së këtij lumi”,-tha Andoni.
Përpjekjet e grupimit të miqve të Vjosës në fushatën për të mbrojtur lumin e fundit të egër ne Evropë do të vazhdojnë, duke mbështetur vizionin për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar.
Takimet e miqve të Vjosës janë takime peridike që kanë si qëllim mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë. Për tu bërë pjesë e takimeve të radhës mund të na kontaktoni në: [email protected].