Xhaferaj, 03 Korrik 2020. Takimi i radhës për mbrojtjen e lumenjve u organizua në fshatin Xhaferaj, Bashkia Kukës. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të EcoAlbania-s, banorët e fshatit Xhaferaj dhe Topojan, si dhe aktivistë të natyrës. Diskutimi u përqendrua në çështjen e lejeve të miratuara për ndërtim të 5 hidrocentraleve të reja në vitin 2018 dhe eksperienca e mëparshme e organizatës në mbrojtjen e luginës së Vjosës.
Që nga viti 2015, në shtratin e lumit Lumë janë ndërtuar 8 hidrocentrale duke filluar nga fshati Bele deri kur derdhet në Liqenin e Fierzës. Në vitin 2018 Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejet e ndërtimit për 5 hidrocentrale të reja në shtratin e lumit Lumë. Kompania koncensionare “Reka Energy” shpk do të ndërtojë konkretisht hidrocentralet në fshatrat Zajë, Turaj, Xhaferaj, Kollovoz e Novosejë.
Banorët e fshatrave të Topojanit dhe Xhaferajt shprehen se kompania nuk ka zhvilluar asnjë konsultim me banorët dhe duke qenë të vetëdijshëm me masakrën që i është bërë Grykës së Vanave në vitet e mëparshme nuk do lejojnë të ndërtohen edhe 5 hidrocentrale të tjera. Ato mendojnë se hidrocentralet nuk i sjellin asnjë përfitim banorëve, përkundrazi dëmtojnë ekosistemin dhe turizmin në zonë.
Përfaqësuesit e EcoAlbanias, duke u bazuar tek eksperienca e tyre në mbrojtje të lumit Vjosa, përgëzuan banorët për rezistencën e tyre në ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Lumë dhe i ofruan mbështetje në betejën e tyre për mbrojtjen e lumit.
Informacion i përgjithshëm: Lumi Lumë, që quhet ndryshe edhe Lumi i Lumës buron në pllajën e Kallabakut në Kukës. Lumi ka çarë një grykë të thellë mes Malit Koritnik e Malit të Gjallicës, duke krijuar Grykën e Vanave. Gryka e Vanave është një grykë e thellë mes Malit Koritnik dhe Malit Gjallica në Kukës, e krijuar nga gërryerja e shkëmbinjve nga Lumë, pjesë e Parkut Kombëtar Korab-Koritnik.