Artistët shqiptarë mblidhen në Valbonë dhe Tiranë për protestë

Një grup artistësh nga Shqipëria dhe Kosova, përfshirë Eda Zarin, Elina Dunin, Gent Rushin, Arbent Xhaferin, grupin Jericho etj., do të këndojnë për të protestuar në mbrojtje të Valbonës dhe kundër importit të plehrave në Valbonë dhe Tiranë këtë fundjavë.

Nga e djathta në të majtë: Andi Tepelena, Catherine Bohne, Eda Zari, Elina Duni, Pano Soko dhe Gjergj Erebara. (c) E. Tanin

Dy këngëtaret shqiptare që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër, Eda Zari dhe Elina Duni zhvilluan një konferencë të pazakontë për media të enjten më 27 tetor në Tiranë, ku njoftuan angazhimin e tyre qytetar në mbrojtje të lumit të Valbonës nga hidrocentralet dhe kundër importit të plehrave në Shqipëri krahas aktivistëve të Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe të banorëve të luginës së Valbonës.

“Kjo është një nismë e cila kërkon të sjellë mesazhin, jo HEC-eve në Valbonë, lëre lumin të lirë dhe kundër importit të mbetjeve në Shqipëri,” tha artistja Eda Zari.

”Kjo është një nismë pa bordura apo ngjyrosje politike, është një maratonë artistike që mbështet, sensibilizon dhe sjell kurajën civile,” shtoi ajo.

“Po flitet që ky lum të burgoset, po flitet që këto plehra të vijnë në Shqipëri. Organizatat kanë bërë shumë pyetje për këtë çështje por nuk kanë marrë përgjigje,” shtoi Eda Zari.

“Ne e marrim frymëzimin nga natyra, për çdo këngë flitet për natyrën,” tha këngëtarja Elina Duni, e cila jeton në Zvicër dhe jep koncerte në të gjithë Europën, por që vendosi të bashkohet me Zarin dhe artistë të tjerë për të kënduar në dy protestat e planifikuara për të shtunën dhe të dielën në Valbonë dhe në Tiranë.

Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e 14 hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës me procedura, të cilat, sipas aktivistëve, mbartin shkelje të panumërta ligjore.“Kur unë i këndoj natyrës shqiptare nëpër Europë, shumë më pyesin nëse mund të vijnë edhe ata për ta shijuar. Unë dua t’i them që të vijnë, por vështirë se mund t’ia them nëse aty shohin ndërtim hidrocentralesh dhe jo natyrë,” tha Duni.

Lajmi është publikuar nga  Reporter.al, OraNews, Mapo.al
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *