ABC News 24: Ekspertë Gjermanë dhe Austriakë “Vlerësimi mjedisor i projektit të Poçemit është një farsë”

Në një letër dërguar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrit të Energjisë Damjan Gjiknuri, ekspertë gjermanë dhe austriakë, shprehen se vlerësimi mjedisor i projektit të Poçemit është një farsë.

(c) ABC News 24

“Vlerësimi i ndikimit për mjedisin i projektit hidroenergjetik të Poçemit mbi lumin Vjosa, është një farsë”  Kështu shprehen ekspertët gjermanë dhe austriakë  të Universitetit të Leipzig dhe të Vjenës në një letër dërguar kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri dhe atij të mjedisit Lefter Koka mbi vlerësimin mjedisor të projektit të Poçemit.


Sipas shkencëtarëve europianë, ky vlerësim  nuk plotëson kërkesat minimale për parashikimin e ndikimit mjedisor të  hidrocentralit të parashikuar, pasi nuk janë bërë anketime për florën dhe faunën, nuk janë mbledhur të dhëna për speciet e rralla, nuk janë vlerësuar proçeset hidrologjike, morfologjike dhe ekologjike dhe efektet e mundshme afatgjata të projektit, si dhe 60 % e tekstit të vlerësimit është thjesht kopje e dokumentit të mëparëshëm dhe i referohet pjesërisht zonave krejtësisht të ndryshme gjeografike.


Për mbrojtjen e lumit Vjosa ka insistuar edhe eurodeputeti Igor Soltes për t’a përfshirë në një amendament të veçantë në rezolutën e Knut Fleckestein, që pritet të aprovohet në gjashtëmujorin e parë të 2017.  
“44 nga 71% e projekteve të hidrocentraleve në Shqipëri janë duke u ndërtuar në zona të mbrojtura. Ne kemi marrë shumë letra nga ekspertë dhe shoqëria civile ku shprehen shqetësime lidhur me projektin mbi lumin Vjosa, që është lumi i fundit i egër në Europë. Ky është vërtet një skandal dhe ne duhet t’i themi qeverisë shqiptare që të ndalë projektet e shumta të pakontrolluara, t’i rikonsiderojë ato dhe të respektojë standartet e Bashkimit Europian, pasi ato nuk janë në përputhje me direktivat europiane për mbrojtjen e mjedisit”


Në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, profesori Martin Pusch i Instituti të Leibniz shprehet, se vlerësimi i bërë  nuk meriton as të quhet i tillë, pasi ai nuk lejon një parashikim të besueshëm për ndikimin në biodiversitet, kushtet e ujërave nëntokësore, si dhe pasojat aktuale për banorët. Sipas tij, ndikimet biologjike të një dige trajtohen në vetëm 10 rreshta, pa përmendur një specie të vetme peshkut .


Prof. Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës, shkruan se për  një lumë të një rëndësie të tillë ndërkombëtare  duhet të aplikohen standardet më të larta të mundshme ligjore dhe se konkluzionet e vlerësimit mjedisor të projektit të Poçemit nuk janë të bazuara në të dhëna të kuptueshme dhe rrjedhimisht nuk plotësojnë standardet ndërkombëtare, duke e kthyer vlerësimin më shumë në një karikaturë sesa një bazë joserioze për vendim.


Artikull nga ABC News 24.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *