2 mars 2023, Tiranë. Sot u zhvillua seanca e dytë gjyqësore mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 60, datë 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore/Parqeve Natyrore të Menaxhuara (Kategoria IV), në Gjykatën Administrative të Apelit, ku 11 Organizata të Shoqërisë Civile Mjedisore Shqiptare kanë paditur autoritetet publike për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 59 dhe nr. 60.
Në seancë morrën pjesë nga pala paditëse avokat Franc Terihati CLE, avokat Irena Dule Res Publica dhe Besjana Shehu AOSALB, ndërsa nga pala e paditur, Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk u paraqit asnjë përfaqësues dhe nuk u paraqitën prapësime dhe prova për të kundërshtuar pretendimet e parashtruara në padi.
Deri më tani procesi ka avancuar me depozitimin a) e kërkes-padisë, b) e provave shkresore, c) e kërkesës për saktësimin e objektit të padisë duke kundërshtuar rishikimin e sipërfaqeve, kufijve dhe statusit të zonave; Bredhi i Sotirës, Korab–Koritnik, Qafështamë, Syri i Kaltër, Bredhi i Kardhiqit, Gërmenj, Karaburun, Kune–Vain–Tale dhe Patok – Fushëkuqe – Ishëm, Liqeni i Shkodrës dhe heqjen e 10 zonave të tjera; d) e kërkesës për kryerjen e aktit të eksertimit, dh) e parashtrimeve shtesë lidhur me legjitimimin e organizatave jofitimprurese.
Në këtë seancë Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk kishte përfaqësues të pranishëm. Gjithashtu, Avokatura e shtetit ka paraqitur kërkesë për thirrjen në cilësinë e personit të tretë të Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Ndërkohë, seanca e sotme u shty për shkak se parashtrimet shtesë lidhur me legjitimimin e organizatave jofitimprurëse të cilat janë depozituar që në daten 23.02.2023, nuk i ishin përcjellë gjyqtares nga sekrataria dhe për rrjedhojë vetëm diten e sotme gjykata i mori në administrim për t’ia komunikuar Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit.
Seanca e radhës për Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 60 do të zhvillohet më 17 Mars 2023 ora 09:00, dhe data për seancën e parë gjyqësore për Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 59, datë 26.1.2022, “Për Miratimin e Ndryshimit të Statusit Dhe të Sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore Park Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, është caktuar më 10 Mars ora 09:00.
Oganizatat paditëse:
AOS-Albanian Ornithological Society
EcoAlbania @Res Publica
CLE – Centre for Legal Empowerment
Qendra EDEN/ EDEN Center
Protection and Preservation of Natural Environment in Albania
Milieukontakt Albania (member of Milieukontakt International Netëork)
REC Albania
Qendra ACEG
Qendra Kujri
Qendra Impetus