Rezistenca për Shushicën vazhdon: Banorët ngrenë çadrën simbolike të rezistencës

Kuç, Shushicë – 5 prill 2025. Banorët e luginës së Shushicës vijuan këtë të shtunë protestën kundër projektit të Ujësjellësit të Himarës, i cili synon të marrë ujin nga burimi i Lëpushës – vend prej nga buron lumi i Shushicës.

Përfaqësues nga 36 fshatra të luginës kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe largimin e makinerive nga zona e lumit. Protesta e tyre, që vijon prej më shumë se dy vitesh, u përshkallëzua me ngritjen e një çadre simbolike rezistence pranë lumit – si një bllokadë ndaj punimeve në terren.

Projekti parashikon devijimin e burimit kryesor të lumit të Shushicës, duke rrezikuar të lërë pa ujë 36 fshatra në qarkun e Vlorës, si dhe duke cënuar integritetin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.

EcoAlbania dhe 54 banorë të luginës janë në një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative të Lushnjes kundër këtij projekti. Të paditur janë Bashkia Himarë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Seanca e radhës do të mbahet më 11 prill, ora 13:00, në Lushnje.

Banorët dhe organizatat partnere të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” kërkojnë:
Anullimin e projektit dhe pezullimin e punimeve deri në vendimin e Gjykatës.
Mesazhi i tyre: “Mos e prekni Shushicën! Mbroni Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa!”