Pas realizimit të turit të takimeve me banorët e prekur nga hidrocentrali i Poçemit, në zonën e Mallakastrës dhe Selenicës, EcoAlbania organizoi më 27 janar 2017 një tryezë të përbashkët diskutimi me përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore të luginës së Vjosës, për të ndarë shqetësimet dhe për të krijuar një rrjet bashkëpunimi në lidhje më çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve.
Organizimi i kësaj tryeze u nxit nga shqetësimi i banorëve dhe i njësive të qeverisjes vendore të cilët janë mbajtur larg procesit të konsultimit gjatë fazës së miratimit apo gjatë fazës së planifikimit nga qeverisja qëndrore për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit.
Në tryezë ishin të pranishëm kryetarët dhe Zv. kryetarët e bashkive: Përmet, Mallakastër, Selenicë si dhe përfaqësues të Njësive Administrative Sevaster dhe Kutë. NjQV-të u angazhuan të bashkëpunojnë më tepër në lidhje me këtë çështje duke ndërmarrë hapa konkret në të ardhmen dhe duke mbështetur lëvizjen për mbrojtjen e Vjosës deri në ndërmarrjen e nismave për një referendum kombëtar.
Më parë NjQV-të e luginës së Vjosës nga Çarshova deri në Selenicë dhe banorë te luginës kanë nënshkruar një peticion drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ku i kanë kërkuar anulimin e të gjitha projekteve dhe planeve për ndërtimin e HEC-eve në luginën e Vjosës dhe të shpallë Vjosën Park Kombëtar. Ndërsa një tjetër peticion do të nënshkruhet nga kryetarët e Bashkive të gjithë luginës i cili dhe do ti dërgohet Kryeministrit të vendit.
—
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “AKTIV- Angazhimi i Komunitetit-Tregues i Integrimit në Vendim-marrje” dhe mundësohet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) nëpërmjet programit Demokracia Lokale në Veprim i zbatuar nga Qendra LëvisAlbania.