54 banorë të luginës së Shushicës dhe EcoAlbania, në vijim të përpjekjeve për ndalimin e marrjes së ujit nga burimi i Lëpushës nga lumi Shushica, kanë ndërmarrë edhe hapa konkretë ligjorë duke paraqitur aktpadinë në Gjykatën Administrative në Tiranë.
Sot u zhvillua seanca e parë gjyqësore kundër ndërtimit të ujësjellësit të Himarës, ndërsa Padia e ngritur nga banorët e zonës dhe EcoAlbania të përfaqësuar nga avokatët e Res Publica, kundërshton:
- vendimmarrjen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
- lejen e ndërtimit lëshuar nga Bashkia Himarë;
- lejen e përdorimit të ujërave lëshuar nga Këshilli i Basenit Vlorë.
Gjykata e zhvendosi gjykimin e çështjes pranë Gjykatës Administrative të Lushnjes, pasi vendimet e kundërshtuara janë lëshuar pjesërisht nga organet lokale në juridiksionin e kësaj gjykate. Për ne nuk ka rëndësi se cila gjykatë do ta ndjekë çështjen, por gjykimi sa më i shpejtë i saj.