Njoftim i përbashkët për shtyp nga EuroNatur, EcoAlbania dhe PPNEA
++ Punimet në Aeroportin e Vlorës rrezikojnë biodiversitetin në lagunën e Nartës dhe deltën e Vjosës ++ Ekosistemi i Vjosës në rrezik pavarësisht statusit të parkut kombëtar ++ Komiteti shpreh shqetësim të thellë për ligjin e ri mbi zonat e mbrojtura ++
Strasburg, Tiranë, Radolfzell. Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës i ka bërë edhe një herë thirrje qeverisë shqiptare që të ndalojë ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, pasi ky ndërtim shkel marrëveshjet ndërkombëtare. Gjatë mbledhjes vjetore në Strasburg javën e kaluar, Komiteti i Përhershëm shprehu shqetësimin e tij të thellë për vazhdimin e punimeve dhe u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të bashkëpunojnë me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara. Komiteti shprehu “keqardhjen e madhe që ndërtimi i aeroportit vazhdoi pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Byroja për të pezulluar ndërtimin deri sa të kryhet një Procedurë e re dhe e mjaftueshme e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor (VNM) dhe një vlerësim i duhur i ndikimeve mjedisore”.
EuroNatur dhe organizatat partnere shqiptare PPNEA dhe EcoAlbania mirëpritën deklaratën e qartë të Komitetit të Përhershëm, i cili mbi të gjitha kritikoi fuqishëm ligjin e ri për zonat e mbrojtura. Komiteti shprehu “shqetësim të thellë se ligji i ri për zonat e mbrojtura mund të bjerë ndesh me parimet dhe detyrimet e përcaktuara në Konventën e Bernës, duke mundësuar potencialisht shkeljen e dispozitave të saj” dhe kërkoi “rishikimin për të siguruar pajtueshmërinë me Konventën”.
“Miratimi i ligjit të ri për zonat e mbrojtura është një precedent i rrezikshëm dhe sistemik që mund të legjitimojë projekte shkatërruese brenda zonave të mbrojtura, duke çuar në një fragmetim të pakthyeshëm ekologjik të tyre në të ardhmen. Ne ndajmë të njëjtat shqetësime me Konventën e Bernës në këtë drejtim dhe këmbëngulim që ligji të rishqyrtohet për t’u shfuqizuar”, thotë Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, projektet e mëdha infrastrukturore në zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk janë më të ndaluara dhe nuk janë më objekt shqyrtimi nga autoritetet e zonave të mbrojtura. Ky ligj, i miratuar në shkurt 2024, hap rrugën për megaprojekte si aeroporte ose hotele luksoze, madje edhe në zona me vlerë të veçantë ekologjike – – si projekti i shumë diskutuar për marrjen e ujit në lumin Shushica, një degë e Vjosës dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa.
“Është për të ardhur keq që kantieri i ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po shndërrohet në një kantier shkatërrimi për Vjosën-Nartën. Vetë aeroporti do të jetë mjaft shkatërrues, por ajo që vjen me të është edhe më keq. Qeveria po vendos një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit infrastruktura e transportit dhe turizmit mund të pushtojë zonat e mbrojtura. Deklarata e Konventës së Bernës duhet konsideruar si ndihmë për autoritetet shqiptare, të cilët kanë mundësinë të tërhiqen dhe të respektojnë ligjet kombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, thekson Zydjon Vorpsi nga PPNEA.
“Qeveria shqiptare ka treguar edhe një herë mosrespektim të Konventës së Bernës, megjithëse është Palë Kontraktuese e saj. Kërkesa jonë është e thjeshtë: Qeveria shqiptare dhe autoritetet përkatëse të ndjekin shtetin ligjor dhe të mos deformojnë kuadrin ligjor, siç bënë me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshime që sfidojnë vetë qëllimin e ligjit për të mbrojtur natyrën”, deklaron Viktor Berishaj, Oficeri i Lartë i Politikave në EuroNatur.
Informacione shtesë:
- Zona e mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, liguna e dytë më e rëndësishme në vend dhe strehë për specie të rralla bimore dhe shtazore. Zona përfshin mbi 220 specie shpendësh gjatë gjithë vitit dhe ka rëndësi ndërrajonale për Rrugët e fluturimit të Adriatikut. Në mars 2023, Vjosa u shpall parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë dhe u vu nën mbrojtje nga qeveria shqiptare.
- Konventa e Bernës ka bërë thirrje të përsëritura për ndalimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë si një “strehë për shpendët shtegtarë, zogjtë ujorë dhe specie të tjera të rralla që shumohen në tokë (…) dhe [se anëtarët e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës] janë të vetëdijshëm për ndikimin e parashikueshëm ekologjik të projektit të aeroportit mbi këtë thesar të veçantë natyror”. Parlamenti dhe Komisioni Evropian gjithashtu kanë kritikuar fuqimisht ndërtimin e aeroportit dhe i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të ndalojë këtë projekt që dëmton mjedisin.
Për më shumë informacion mbi çështjen e Aeroportit të Vlorës dhe më tej mund të gjeni në raportin e fundit mbi biodiversitetin nga EuroNatur.