Kundërshtimi ndaj hidrocentraleve të projektuara në lumin Vjosë po merr mbështetje të mëtejshme. Në një letër të hapur drejtuar Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Konfederata e Industrive Shqiptare bën thirrje për një moratorium të ndërtimit të digave në lumin Vjosë dhe degët e tij.
Lumenjtë e Ballkanit janë të kërcënuar nga një cunam hidrocentralesh, përfshirë edhe Vjosën. Rreth 40 hidrocentrale janë parashikuar në lumin e fundit të egër në Evropë. Kohët e fundit, “Konfindustria” shqiptare – institucioni që përfaqëson interesat e 280 firmave të mëdha industriale të vendit – ka bërë thirrje për dhënien fund të të gjitha procedurave për koncesionet e miratuara dhe atyre të planifikuara. Ajo e bazon kërkesën e saj në arsyetimin se të gjitha studimet e mëparshme mbi performancën ekonomike të hidrocentraleve janë të vjetëruara e jo të plota dhe kësisoj, nuk ofrojnë rekomandime të besueshme. Në vend të tyre, duhet të përfshihen konceptet e energjisë alternative siç është përdorimi i paneleve diellore.
Për më tepër, kreu i Konfederatës së Industrive Shqiptare, Gjergj Buxhuku, në letrën e tij kërkon që vlerësimet e ndikimit në mjedis të bëhen sipas standardeve të BE-së. Ruajtja Vjosës dhe degëve të saj në gjendjen e tyre natyrore është me interes të madh për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, shprehet Buxhuku. “Projektet që do të shkatërronin përgjithmonë këto perla të ujërave të ëmbla nuk duhet të tolerohen”, vijon ai.
“Është e jashtëzakonshme që industria kombëtare pozicionohet qartësisht kundër HEC-eve në Vjosë. Kjo është shenjë e një opozite në rritje kundër planeve për diga në Vjosë”, thotë Theresa Schiller, koordinatore e fushatës në Euronatur. “Kërkesa e Gjergj Buxhukut në emër të Konfederatës së Industrisë Shqiptare është një tjetër zë i rëndësishëm në luftën për lirinë e lumit Vjosa!”