KohaJonë: Alarmi i shoqatave mjedisore: Po dëmtohet Parku Kombëtar në Karavasta!

Rreth 17 shoqata mjedisore kanë reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes që po kryhet këto ditë në Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në një reagim për mediat, shoqatat thonë punimet e ditëve të fundit mund të prishin gjithë ekuilibrat natyrorë dhe vlerat turistike të Parkut.

Pamje nga Laguna e Karavastasë. (c) KohaJone.com

Shoqatat denoncojnë dhe ekzistencën e një projekti në brendësi të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta të hartuar nga Bashkia Divjakë, i cili mund të sjellë pasoja të rënda nëse vihet në zbatim. 

Njoftimi i plotë i Shoqatave:

Rrjeti i Shoqatave Mjedisore shprehin kundërshtimin e tyre të fortë për ndërhyrjen antiligjore të ditëve të fundit e të shoqëruar me modifikime të papranueshme të ekosistemit natyror të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke futur mjete të rënda motorike gërmuese në Zonën Qendrore të Parkut, me efekt qartësisht negativ jo vetëm në biodiversitetin e parkut por dhe si ndërhyrje që mund të prishi gjithë ekuilibrat natyrorë dhe vlerat turistike të Parkut.
 
Institucioni i Bashkisë ka paraqitur përpara disa muajsh kërkesën për Leje Mjedisore për zhvillimin e një projekti në brendësi të PK Divjakë-Karavasta. Ky projekt, i padiskutuar publikisht, kërkon krijimin e një kanali të mirëfilltë lundrues që lidh Divjakën me lagunën e Karavastasë dhe ndërtimin e një ure druri të varur për këmbësorët në pyllin e Divjakës.

Përtej diskutimeve institucionale, sqarojmë se ndërhyrja e sapo nisur është planifikuar të kryhet në Zonën Qendrore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, shpallur në vitin 1966 dhe zgjeruar në vitin 2005 me Vendim të Këshillit të Ministrave. Mbështetur në nenin 6 të ligjit për Zonat e Mbrojtura nr. 8906 date 06.06.2002 (i ndryshuar me ligjin nr. 9868 datë 04.02.2008) në Zonat Qendrore nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrjeje.

Po kështu, sipas nenit 19 të ligjit për zonat e mbrojtura ku përmendet “Veprimtaritë ekonomike e shoqërore, projektet që synojnë të zbatohen në një zonë të mbrojtur, pajisen me leje mjedisi, pasi të paraqesin studimin përkatës dhe raportin e plotë të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në bazë të studimeve dhe planeve rregulluese të përgjithshme, të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit”. Deri më sot, Bashkia e Divjakës nuk ka marrë leje mjedisi nga institucionet përgjegjëse dhe futja e makinerive të rënda në park është tërësisht antiligjore. 

Jo vetëm kaq. Ndërhyrja kryhet në zonën më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri, në Zonën Ramsar të Divjakë-Karavastasë, në Biotopin CORINE të shpallur për rëndësinë ndërkombëtare të kësaj zone për ruajtjen e diversitetit biologjik, në Zonën Veçanërisht të Mbrojtur, pjesë e listës kombëtare të Rrjeti EMERALD, me kodin AL 0000002 (2001) dhe në sipërfaqen e shpallur që prej vitit 2003 si Zonë e Rëndësishme për Shpendët (Important Bird Area Nr. 006).

Artikullin e plotë të publikuar nga Koha Jonë mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *