Java Shkencore përgjatë lumit Vjosa: Një udhëtim kërkimor nga delta deri në burim

Lugina e Vjosës, 28 prill – 3 maj 2025. Edhe këtë vit shkencëtarët për Vjosën zhvilluan Javën Shkencore të Vjosës, një aktivitet ndërdisiplinor që përfshiu një itinerar të gjerë përgjatë gjithë gjatësisë së lumit, nga delta e lumit deri në rrjedhën e sipërme pranë kufirit me Greqinë.

Ky aktivitet mblodhi pedagogë dhe studentë nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, si dhe shkencëtarë nga Universiteti i Vjenës (Austria), të cilët kontribuuan me përvojën e tyre kërkimore dhe bashkëpunuan në terren me kolegët shqiptarë dhe studentët e programeve bachelor dhe master në Biologji Mjedisi dhe Shkenca Natyrore dhe Mjedisore.

Itinerari përfshiu ndalesa në pika me rëndësi të lartë ekologjike dhe gjeologjike, si: Ura e Mifolit, Pylli i Sodës, Laguna e Nartës, Aeroporti i Vlorës, Shushica, Lekdushi, Bënça, Lugina e Drinos (me ndalesa në Lekli, Uji i Ftohtë, Virua, Kordhocë, Gjirokastër), Këlcyra, Përmeti, Banjat e Langaricës dhe Burimet Termale të Leskovikut, si dhe një vizitë përmbyllëse në Qendrën Kërkimore të Vjosës.

Gjatë javës, studentët dhe shkencëtarët u përfshinë në aktivitete praktike në terren, duke kryer matje dhe vrojtime për monitorimin biologjik dhe gjeologjik përgjatë lumit dhe degëve të tij. Ata punuan në kampionimin e treguesve biologjikë si fitoplanktoni, kapja e insekteve dhe fluturave, vëzhgimi i shpendëve, amfibëve, zvarranikëve dhe peshqve, si dhe analizuan struktura dhe formacione të ndryshme gjeologjike në terren.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të veprimtarisë njerëzore në ekosistem, me një ndalesë në Aeroportin e Vlorës, ku studentët patën mundësinë të vëzhgojnë nga afër sfidat reale që i kanosen deltës së Vjosës.

Gjithashtu, studiuesit u fokusuan e rëndësinë ekologjike të disa prej tributarëve kryesorë të Vjosës – si Shushica, Bënça dhe Drino – duke reflektuar mbi sfidat që këto degë përballen dhe rolin e tyre në ekosistemin e përgjithshëm të lumit.

Vizita në Qendrën Kërkimore të Vjosës shërbeu si një përmbyllje kuptimplotë e javës, duke nxitur reflektim mbi rëndësinë e kërkimit shkencor për ruajtjen e lumit të fundit të egër në Evropë dhe mbi nevojën për angazhim të vazhdueshëm akademik dhe qytetar në mbrojtjen e vlerave natyrore të Vjosës.