Banorët e prekur nga hidrocentralet në të gjithë Shqipërinë protestojnë kundër projekteve të Qeverisë

++Banorët kërkojnë anulimin HEC-eve që janë dhënë në kundërshtim me vullnetin e tyre++

Tiranë 6 korrik 2019. Qytetarë nga e gjithë Shqipëria kanë protestuar sot kundër hidrocentraleve në lumenjtë e vendit. Banorët e zonave të prekura nga projektet e HEC-eve nga veriu në jug të vendit janë bashkuar në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë për të ngritur zërin kundër valës së shkatërrimit të lumenjve të Shqipërisë.

540 hidrocentrale janë planifikuar për t’u ndërtuar në gjithë territorin e Shqipërisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve në zona të mbrojtura (rreth 61) dhe zona me potencial të lartë natyror. Këto plane shpesh herë janë shoqëruar me konflikte dhe protesta të vazhdueshme nga komunitetet e prekura në gjithë Shqipërinë. Ata rrezikojnë të humbin shtëpitë e tyre, tokat bujqësore, ujin e pijshëm, furnizimin me ujë për vaditje dhe peizazhin e trashëguar prej brezash. Megjithë ndikimin e madh në jetën e tyre, komunitetet më të prekura nuk janë të informuar për projektet e hidrocentraleve të planifikuara në oborret e tyre, aq më pak të konsultuar.

Banorët nga Mirdita, Dibra, Mati, Vjosa, Shushica, Kelmendi, Kukësi në protestën kundër hidrocentraleve para Kryeministrisë (c) B. Guri/EcoAlbania

Në protestë ishin të pranishëm komunitetet e Mirditës, Matit, Kukësit, Dibrës, Tropojës, Kelmendit, Vjosës, Librazhdit, Selenicës etj., të cilët të mbështur nga organizata dhe aktivistë i kërkuan qeverisë:

  • Rishikimin e të gjitha kontratave të dhëna për HEC-e dhe transparencë për publikun.
  • Anulimin e të gjitha hidrocentraleve të cilat shkojnë në kundërshtim me vullnetin e banorëve të prekur, cenojnë integritetin natyror të zonave të mbrojtura dhe atyre me potencial të lartë natyror.

Kjo protestë nis një seri protestash në mbrojtje të lumenjve që do të organizohen në gjithë Ballkanin në datat 6 -16 korrik. Mijëra njerëz preken nga “cunami” i më shumë se 3000 digave të planifikuara në Ballkan. Shumë prej tyre po luftojnë me protesta të vazhdueshme dhe janë të vendosur të mbrojnë lumenjtë e tyre, me çdo kusht. “Ne japim jetën, por jo lumin tonë” është shprehja më e zakonshme e qëndrimt të tyre.

 —

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit. EcoAlbania është organizata partnere në Shqipëri.