Zonat e Mbrojtura në Rrezik: Beteja Ligjore në Gjykatën Kushtetuese – Zërat e Palëve në Seancën Plenare të 1 korrikut.

Mjedisi natyror i Shqipërisë, me pasuritë e tij të rralla, është sërish në qendër të një beteje ligjore. Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe Qendra “EcoAlbania”, dy organizata me kontribut të vazhdueshëm në mbrojtjen e natyrës, kanë depozituar një kërkesë të rëndësishme pranë Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Objekti i kësaj kërkese është shfuqizimi dhe pezullimi i Ligjit Nr. 21/2024 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin Nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura””, një akt ligjor që, sipas tyre, cënon rëndë integritetin e zonave të mbrojtura dhe shkon në kundërshtim me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese, fillimisht e shtyrë më 26 Qershor dhe e zhvilluar më 27 Qershor pas paraqitjes së dokumenteve nga të gjitha palët, nxori në pah argumentet dhe qëndrimet e secilës palë të përfshirë.

Çfarë përmban Ligji 21/2024 dhe pse është problematik?

Ligji ekzistues për zonat e mbrojtura (Ligji Nr. 81/2017) vendoste kufizime të rrepta mbi ndërtimet dhe zhvillimet brenda këtyre territoreve me vlerë të lartë natyrore. Ndërkohë, Ligji i ri 21/2024, i miratuar së fundmi, sjell ndryshime rrënjësore që, në thelb, hapin rrugën për ndërtime dhe zhvillime infrastrukturore e turistike  brenda zonave të mbrojtura. Ky ndryshim drastik paraqet një kërcënim serioz për biodiversitetin dhe ekosistemet delikate të Shqipërisë.

Sipas parashtresës së AOS dhe EcoAlbania, Ligji 21/2024:

  1. Dobëson thelbësisht mbrojtjen ligjore: Ai heq apo dobëson ndalimet absolute për ndërtim dhe zhvillim në zona me rëndësi të veçantë natyrore, duke lejuar vendime qeveritare që mund të favorizojnë interesa të caktuara mbi atë publik.
  2. Shkel standardet ndërkombëtare: Shqipëria, si vend kandidat për në BE, ka detyrimin të përafrojë legjislacionin e saj me acquis-n e BE-së, përfshirë direktivat mjedisore si Direktiva e Habitateve dhe Direktiva e Shpendëve. Ligji i ri largohet nga këto standarde dhe është në kundërshtim me Konventa ndërkombëtare si Ramsar, Berna dhe Konventa e Diversitetit Biologjik.
  3. Mungesë transparence dhe konsultimi publik: Procesi i miratimit të këtij ligji ka qenë i errët dhe i përshkuar nga mungesa e konsultimit me publikun dhe shoqërinë civile. Drafti përfundimtar, i formuluar nga Këshilli i Ministrave, nuk iu nënshtrua asnjë procesi real konsultimi, duke anashkaluar detyrimet kushtetuese dhe ato të Konventës së Aarhusit për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore.
  4. Cënimi i kategorive të mbrojtjes dhe zonave buferike: Ligji dobëson kategoritë e mbrojtjes, si p.sh. “Peizazhet e Mbrojtura”, dhe eliminon kërkesën për zona buferike rreth rezervave strikte natyrore, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen e tyre nga ndikimet e jashtme.
  5. Pasiguri juridike dhe besim i cenuar: Ndryshimet e shpeshta dhe të paqarta ligjore krijojnë pasiguri juridike dhe minojnë besimin e publikut dhe të komuniteteve lokale, të cilat shpesh jetojnë në harmoni me mjedisin.

Zërat e Palëve në Seancën Plenare:

1. Kërkuesit (1/5 e Deputetëve të Kuvendit): Deputetët kërkues theksuan se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura janë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi janë bërë pa një proces të mirëfilltë konsultimi publik, siç kërkon neni 56. Ata paralajmëruan se heqja e kufizimeve për ndërtime në këto zona i hap rrugë shkatërrimit të natyrës në emër të turizmit masiv dhe se e vetmja “frenë” për zhvillimet do të jetë vullneti politik, duke vënë kështu në rrezik të ardhmen e të gjitha zonave të mbrojtura në vend.

2. Përfaqësuesi i Dy Organizatave (AOS dhe Eco Albania): Përfaqësuesi i organizatave theksoi se procesi ligjvënës ka shkelur jo vetëm parimet procedurale të transparencës, por edhe standardet ndërkombëtare mjedisore. Ai nënvizoi se zonat e mbrojtura nuk janë vetëm pasuri natyrore, por edhe hapësira për kërkimin shkencor të garantuar nga Kushtetuta, funksion që do të zhbëhet nëse ato preken nga ndërtime dhe infrastrukturë turistike.

3. Përfaqësuesi i Kuvendit: Kuvendi mohoi çdo shkelje të procedurave kushtetuese, duke deklaruar se drafti ka kaluar nëpër një proces të plotë shqyrtimi dhe se shoqatat janë përfshirë me komente. Ai këmbënguli se ligji synon një zhvillim të qëndrueshëm dhe nuk ka si objekt ndërtimin e resorteve, duke theksuar se i është ruajtur fryma e ligjit të vitit 2017 dhe janë respektuar standardet evropiane dhe ato të IUCN.

4. Përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave: Sipas përfaqësuesit të qeverisë, pretendimet për shkelje kushtetuese janë të pambështetura dhe ligji i ri synon të balancojë zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit. Ai argumentoi se konsultimet janë kryer në përputhje me standardet dhe se përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit kanë zhvilluar takime me grupe të interesit gjatë procesit.

Prova të Reja dhe Kundërpërgjigje: Përfaqësuesi i organizatave, në përgjigje të pretendimeve për konsultim, kundërshtoi duke deklaruar se “nuk ka lidhje me konsultimin, janë thjesht shkëmbime email-esh mes një drejtuesi organizate dhe institucionit”, duke sugjeruar se nuk ka pasur një proces real dhe të plotë konsultimi publik.

Procesi i rishikimit të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura (RrKZMM) në Shqipëri, i nisur në maj 2019 nga Ministri i Mjedisit, ka kaluar përmes një sërë zhvillimesh të kontestuara. Megjithëse fillimisht u premtua një proces i bazuar në studime shkencore dhe konsultime me aktorët e interesuar, vendimmarrjet e mëvonshme shpesh anashkaluan opinionin e organizatave mjedisore dhe akademisë. Vendimi i KKT-së në dhjetor 2020 reduktoi ndjeshëm sipërfaqet e disa zonave të mbrojtura si Prespa, Butrinti dhe Buna-Velipoja, duke shkaktuar reagime të forta nga shoqëria civile dhe ndërkombëtarët. Pas presionit publik dhe diplomatik, në nëntor 2022 u miratua harta përfundimtare me disa përmirësime, ndërkohë që në vitin 2023 u shtuan dy parqe të reja kombëtare: Alpet dhe lumi Vjosa. Megjithatë, përpjekjet për të ligjëruar ndërhyrjet brenda ZM-ve kulmuan me miratimin në shkurt 2024 të ligjit 21/2024, i cili lejon zhvillimin e turizmit masiv në këto zona. Ky ligj po sfidohet në Gjykatën Kushtetuese nga EcoAlbania, AOS dhe 28 deputetë, të cilët kërkojnë shpalljen e tij si antikushtetues.

Pse është thelbësor veprimi i Gjykatës Kushtetuese?

AOS dhe EcoAlbania theksojnë se Gjykata Kushtetuese ka një rol vendimtar në këtë çështje. “Gjykata duhet të rikthejë besimin në parimin e shtetit të së drejtës dhe në demokracinë pjesëmarrëse, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e mjedisit, që përbën një interes publik jetik,” – u shpreh Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. Ligji 21/2024 nuk është thjesht një produkt i një procesi të mangët, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për ruajtjen e pasurive natyrore që i përkasin të gjithë shoqërisë shqiptare.

Organizatat mjedisore bëjnë thirrje për një veprim të shpejtë dhe të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e Ligjit 21/2024 dhe pezullimin e zbatimit të tij. Mbrojtja e zonave të mbrojtura nuk është vetëm çështje ligjore, por një detyrim moral ndaj brezave të ardhshëm për të ruajtur pasurinë e pakrahasueshme natyrore të Shqipërisë.

EcoAlbania dhe AOS do të vijojnë angazhimin e tyre të palëkundur në mbrojtje të interesit publik dhe pasurive natyrore të Shqipërisë, duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe avokuese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Pasi palët kanë paraqitur argumentet dhe provat e tyre në seancën plenare, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të shqyrtuar çështjen në themel. Vendimi për kushtetutshmërinë e ligjit 21/2024 pritet të shpallet brenda muajit korrik 2025. Ky vendim do të ketë një ndikim të thellë jo vetëm mbi të ardhmen e zonave të mbrojtura dhe integritetin e tyre ekologjik, por edhe mbi mënyrën se si garantohet pjesëmarrja publike në proceset vendimmarrëse që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri.