Dita e Vjosës: Vizioni për park kombëtar
Katër vite pas festimit për herë të parë të ditës së Vjosës, lumi Vjosa është ende i rrezikuar të shkatrrohet nga hidrocentralet e mëdhenj të Kalivaçit dhe Poçemit. EcoAlbania dhe partnerët e saj do të përdorin ditën e Vjosës për të publikuar vizionin e Parkut Kombëtar të Vjosës. Me këtë qëllim do të organizohen një seri aktivitetesh.
Në Ditën e Vjosës (6 qershor) do të mbahet konferenca “Vizioni për parkun kombëtar të lumit Vjosa”, ku do të shpaloset vizioni për të parin park kombëtar të një lumi të egër në Evropë. Në këtë aktivitet synohet të bëhen bashkë vendim-marrësit dhe ekspertët për të diskutuar mbi mundësitë e shpalljes së parkut kombëtar.
Disa ditë pas Ditës së Vjosës do të organizohet ekspozita “Vjosa në fokus”, e cila do të përmbajë foto nga lugina e Vjosës dhe komunitetet e prekura nga hidrocentralet e planifikuara. Ekspozita do të mbahet në Muzeun Kombëtar në datat 13-16 qershor 2019.