Select Payment Method
Personal Info

Totali i dhuruar: €100,00

OJF-të për Ruajtjen e Biodiversitetit

Projekti “OJF-të për Ruajtjen e Biodiversitetit” do të adresojë ruajtjen e integritetit territorial dhe ekologjik të rrjetit të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Rrjeti njeh fillimet e tij që prej viteve 1960’ kur u shpallën zonat e para të mbrojtura të përbëra kryesisht nga sipërfaqe të vogla pyjore. Pas viteve 2000, ky rrjet u zgjerua ndjeshëm në përmbushje të qëllimit të krijimit të oazeve të ruajtjes së natyrës dhe larmisë biologjike të vendit. Sot në këtë rrjet bëjnë pjesë ekosisteme të larmishme përfshirë ato malore të mbuluara me pyje, kullota e sidomos ato ligatinore që përfshijnë laguna, liqene, lumenj, ujëra bregdetare, pyje bregdetare, pyje breglumore, duna ranore, toka me bimësi të kripur, shkurreta, pyje etj.

Zonat ligatinore bregdetare janë të kërcënuara nga shtrirja e veprimtarive të paqëndrueshme ekonomike. Ndonëse kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme gjatë këtyre 5 viteve të fundit, zonat ligatinore bregdetare i kanë rezistuar deri më sot presioneve masive për shkak të mbrojtjes ligjore që burojnë nga vetë statusi “Zonë e Mbrojtur” dhe legjislacioni kombëtar për Zonat e Mbrojtura. Por edhe kjo pak mbrojtje ligjore e zonave ligatinore bregdetare po rrezikohet sot nga nisma e qeverisë për Rishikim të Kufijve të Zonave të Mbrojtura.

Ky proces nisi në mesin e vitit 2019 dhe propozoi fillimisht reduktimin me mesatarisht të 20% të sipërfaqes së zonave të mbrojtura bregdetare ku spikasnin Narta që reduktohej me afro 45% të sipërfaqes aktuale, Velipoja me 27%, Divjakë-Karavastaja me 12% etj.

Objekti kryesor

Mbrojtja e rrjetit të Zonave të Mbrojtura nga reduktimi në sipërfaqe, humbja dhe degradimi i habitateve dhe specieve të egra të florës dhe faunës.

Objektivi specifik 1

Mbrojtja e Zonave të Mbrojtura nga reduktimi i sipërfaqes;

Objektivi specifik 2

Mbrojtja e habitateve jetike në brendësi apo pranë Zonave të Mbrojtura të rrezikuara nga veprimtari ekonomike të paqëndrueshme;

Objektivi specifik 3

Mbrojtja e specieve simbol (florë dhe faunë) të Zonave të Mbrojtura nga humbja dhe reduktimi;

Objektivi specifik 4

Ndikim i organizatave në vendimmarrje dhe politika mjedisore të përgjegjshme që garantojnë mbrojtje të Zonave te Mbrojtura, habitateve dhe specieve.

Periudha e zbatimit të projektit: Maj 2022- Nëntor 2023