Koncert-protestë kundër importit të mbetjeve në Shqipëri
Artistet Eda Zari dhe Elina Duni së bashku me kolegë të tjerë të mirënjohur si Alban Nimani, Marsela Çibukaj, Genc Salihu etj, kanë vazhduar protestën maratonë në Tiranë kundër importit të plehrave në Shqipëri. Pas koncert-protestës në Valbonë ata kanë mbajtur një koncert në Tiranë më 30 nëntor 2016, së bashku me AKIP (Aleancën kundër importit të plehrave), organizatat mjedisore dhe shumë qytetarë e aktivistë të tjerë. Shoqëria civile ka protestuar që nga fillimi kundër importit të plehrave dhe në lidhje me mënyrën jo transparente të diskutimeve mbi ligjin e importit të plehrave dhe tashmë edhe me mbështetjen e artistëve është e vendosur në këtë kauzë deri në ndërmarrjen e një referendumi.