Filmi “Zemra Blu” në turin nëpër Shqipëri
Filmi i kompanisë prestigjoze kaliforniane të veshjeve sportive Patagonia, realizuar nga Farm League, tregon përpjekjet e vazhdueshme të komuniteteve lokale dhe aktivistëve të Ballkanit për të mbrojtur lumenjtë e tyre nga zhvillimi masiv i projekteve hidroenergjetike me rreth 3000 HEC-e të projektuara për tu ndërtuar në gjithë gadishullin. Përgjatë 40 minutave dokumentohen historitë e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në mbështetje të fushatës për mbrojtjen e lumenjve të Ballkanit, “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës”. Historia e mbrojtjes së Vjosës është ajo e luftës së banorëve të Kutës në Mallakastër, organizatave e aktivistëve shqiptarë dhe betejës ligjore të suksesshme kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit.
Shfaqja e filmit nisi me premierën në Tiranë dhe vazhdoi në luginën e Vjosës, ku u shfaq edhe për komunitetet e prekura nga projektet e HEC-eve të parashikuara në Vjosë. Kutë (7 Maj), Përmet (8 Maj), Tepelenë (9 Maj), Qesarat (Memaliaj/ (11 Maj), Selenicë (12 Maj), si dhe në Shkodër (14 Maj).