CONNECTA – Ruajtja e natyrës dhe ekosistemeve me fokus te komunitetet përmes bashkëpunimit ndërkufitar në korridoret ekologjikë të Shqipërisë juglindore

CONNECTA është një inciativë ndërkufitare që synon forcimin e lidhshmërisë në korridorin ekologjik Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz dhe në basenin ndërkufitar të lumit Aoós/Vjosë. Projekti ndjek një qasje të integruar për ruajtjen e biodiversitetit, rikthimin e lidhshmërisë ekologjike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së ekosistemeve në një prej korridoreve ekologjike më të rëndësishëm të Ballkanit.

Projekti zbatohet nga EcoAlbania me mbështetjen financiare të Prespa Ohrid Nature Trust (PONT), përmes Fonds Français Pour l’Environnement Mondial (FFEM). Aktivitetet ndërkufitare që fokusohen në pellgun e lumit Aoós/Vjosë zhvillohen në bashkëpunim me MedINA (Mediterranean Institute for Nature and Anthropos), duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për ruajtjen e ekosistemeve të përbashkëta.

Duke u mbështetur në arritjet dhe partneritetet e krijuara përmes projektit ISCCA, CONNECTA vijon dhe zgjeron përpjekjet për forcimin e lidhjes ekologjike dhe ruajtjen e biodiversitetit në rajon. Projekti ndërton mbi njohuritë ekzistuese, rrjetet e aktorëve dhe aktivitetet e mëparshme, duke zgjeruar fokusin drejt bashkëpunimit ndërkufitar dhe menaxhimit të integruar të korridoreve ekologjike dhe ekosistemeve lumore.

Përmes kërkimit shkencor dhe monitorimit, angazhimit të aktorëve, përmirësimit të kapaciteteve, aksioneve rehabilituese, edukimit mjedisore, nismave të shkencës qytetare dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese, CONNECTA mbështet ruajtjen e natyrës bazuar në të dhëna dhe promovon menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. Duke bashkuar komunitetet lokale, institucionet, kërkuesit, dhe organizatat e shoqërisë civile, projekti kontribuon në ruajtjen e biodiversitetit, korridoreve ekologjike dhe peizazhit, ku si natyra, ashtu edhe komunitetet, mund të bashkëjetojnë.

Qëllimi kryesor

CONNECTA synon të ruajë dhe përmirësojë lidhshmërinë ekologjike në të gjithë peizazhin, përmes planifikimit, koordinimit ndërmjet aktorëve, dhe pjesëmarrjes së komuniteteve në korridoret ekologjike, duke përfshirë dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkufitar.

Objektivat

1: Forcimi i planifikimit pjesëmarrës, koordinimit ndërmjet aktorëve dhe ndërgjegjësimit për menaxhimin e korridoreve ekologjike.

2: Mbështetja e zbatimit fillestar të aktiviteteve prioritare që kontribuojnë në përmirësimin e lidhshmërisë në korridoret ekologjike.

3: Promovimi dhe zbatimi i aktiviteteve ndërkufitare për ruajtjen e sistemit lumor Aoós/Vjosa.

×