Ky raport paraqet një analizë të plotë të boshllëqeve ligjore dhe institucionale që ndikojnë në funksionimin dhe mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri. Analiza evidenton problematikat kryesore që dobësojnë ruajtjen efektive të pasurive natyrore të vendit, duke përfshirë mospërputhje ligjore, mbivendosje kompetencash institucionale, paqartësi normative dhe mungesë kapacitetesh për zbatimin praktik të legjislacionit.
Raporti i kushton vëmendje të veçantë ndryshimeve të fundit ligjore, veçanërisht Ligjit Nr. 21/2024 dhe Ligjit Nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, të cilat kanë sjellë një zhvendosje të qasjes nga mbrojtja e natyrës drejt zhvillimit dhe shfrytëzimit ekonomik të zonave të mbrojtura. Këto ndryshime kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me përputhshmërinë e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, parimet e IUCN-së dhe detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, duke krijuar njëkohësisht pasiguri ligjore dhe dobësim të mekanizmave ekzistues të mbrojtjes.
Analiza identifikon boshllëqe të rëndësishme ndërmjet legjislacionit bazë, akteve nënligjore dhe politikave sektoriale që lidhen me pyjet, planifikimin territorial dhe mjedisin. Gjithashtu, raporti evidenton sfida praktike si mungesa e koordinimit ndërinstitucional, kapacitetet e kufizuara njerëzore dhe financiare, si edhe mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse.
Përtej analizës ligjore, raporti thekson ndikimet konkrete që këto problematika kanë mbi komunitetet lokale, pronarët e tokave, besimin publik ndaj institucioneve, ruajtjen e biodiversitetit dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Raporti paralajmëron se mosadresimi i këtyre boshllëqeve rrezikon degradimin e mëtejshëm të mjedisit, humbjen e biodiversitetit dhe dobësimin e sundimit të ligjit në fushën e mbrojtjes së natyrës.
Ky vlerësim synon të shërbejë si një instrument mbështetës për politikëbërësit, institucionet dhe aktorët e shoqërisë civile në identifikimin e dobësive kryesore dhe në avancimin e reformave që forcojnë mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura në Shqipëri.