Studim mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm në Korridorin ekologjik “Polis-Valamare-Rungaje-Moravë-Gramoz”
Në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes ekologjike, EcoAlbania ka ndërmarrë një studim për Korridorin Ekologjik Polis-Valamare-Rungaje-Moravë-Gramoz. Ky studim synon të ofrojë një vlerësim të hollësishëm të situatës aktuale në zonën e projektit, me fokus në zhvillimin rural, mjedisin dhe planifikimin territorial. Duke analizuar gjendjen aktuale të zonës, raporti synon të informojë vendimmarrësit mbi sfidat dhe mundësitë që ofron ky territor në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm.
Duke prezantuar një përmbledhje të zonave të mbrojtura dhe vlerave ekologjike dhe në mënyrë të detajuar planifikimet terriotriale për të gjashtë bashkitë që preken nga ky korridor, raporti pajis vendimmarrësit me perspektiva të vlefshme për të marrë vendime sa më të informuara që përputhen me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të këtij korridori ekologjik të rëndësishëm.
Kapitulli i parë i këtij studimi paraqet përkufizime të disa termave kyçe të përdorura në raport. Kjo ndihmon lexuesit të kuptojnë përmbajtjen dhe qëllimin e studimit sa më qartë.
Kapitulli i dytë ofron një panoramë të përgjithshme mbi zonat e mbrojtura brenda zonës së studimit, zonimin e tyre, duke theksuar në mënyrë të veçantë vlerat natyrore, ekologjinë dhe përdorimin e tokës.
Kapitulli i tretë përqendrohet në planifikimin dhe menaxhimin gjithëpërfshirës të zonës së studimit, duke u përqëndruar në territorin në administrim të pushtetit vendor. Ky kapitull analizon secilën bashki brenda zonës së studimit dhe për secilën prezanton aspekte të ndryshme, përfshirë vlerat natyrore, sistemet e përdorimit të tokës, menaxhimin e burimeve (pyje, kullotat, tokën bujqësore, ujin dhe mineraleve), dhe analizën e planeve lokale vendore. Planet vendore të zhvillimit të territorit shqyrtohen mbi drejtimet e zhvillimit, projektet kryesore dhe ndikimet e tyre potenciale në ruajtjen e biodiversitetit dhe funksionin ekologjik të territorit.
Studimi përfundon duke përmbledhur gjetjet dhe ofruar rekomandime. Në dritën e kërcënimit ndaj ndryshimeve klimatike, paraqitet një analizë e shkurtër e zgjidhjeve të bazuar në natyrë (NBS). Këto rekomandime ofrojnë ndërhyrje potenciale për adresimin dhe mitigimin e ndikimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së funksioneve të korridorit ekologjik.
“Ky raport është hartuar në kuadër të projektit “Improve Sustainability of South-Eastern CCAs in Albania – ISCCA” zbatuar nga ECOALBANIA dhe me financim të PONT. Mbështetja e PONT për përgatitjen e këtij botimi nuk përbën një miratim të përmbajtjes, e cila pasqyron vetëm pikëpamjet e autorëve. PONT nuk është përgjegjës për çdo përdorim të informacionit në përmbajtje të këtij raporti.”