Select Payment Method
Personal Info

Donation Total: €100,00

Identifikimi dhe prioritizimi i barrierave

Ky projekt mbështet restaurimin ekologjik dhe menaxhimin e qëndrueshëm të ekosistemeve lumore në Shqipëri, duke identifikuar dhe vlerësuar barrierat e vjetruara dhe jofunksionale në pellgun e Vjosës. Megjithëse Vjosa njihet si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë dhe është shpallur Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në kontinent, shumë prej degëve të saj mbeten të fragmentuara nga diga, prita dhe struktura të tjera që nuk shërbejnë më për një funksion të qartë.

Këto barriera pengojnë migrimin e peshqve, ndërpresin transportin natyror të sedimenteve, ndryshojnë dinamikën hidrologjike dhe kontribuojnë në degradimin ekologjik dhe shkëputjen e habitateve ujore. Aktualisht mungon një inventar i centralizuar dhe i aksesueshëm publikisht për barrierat brenda lumenjve në pellgun e Vjosës, çka kufizon kapacitetin e institucioneve dhe aktorëve lokalë për të planifikuar ndërhyrje efektive restauruese.

Projekti do të realizojë një fushatë të plotë hartëzimi dhe vlerësimi në terren në të gjithë pellgun e Vjosës, me fokus të veçantë në degët e vogla dhe përrenjtë malorë. Duke u mbështetur në atlasin ekzistues të digave të ujitjes të përgatitur nga H2H Foundation në kuadër të një projekti të financuar nga ORP, nisma do të identifikojë barriera shtesë dhe do të analizojë ndikimin e tyre ekologjik, si dhe fizibilitetin teknik, ligjor dhe socio-ekonomik për heqjen e tyre.

Çdo strukturë do të vlerësohet sipas kritereve të qarta, përfshirë ndikimin ekologjik, funksionalitetin aktual, rëndësinë kulturore dhe historike, statusin e pronësisë dhe rreziqet potenciale për sigurinë. Prioritet do t’u jepet barrierave, heqja e të cilave do të sillte përfitime të konsiderueshme ekologjike dhe do të rikthente lidhshmërinë e lumenjve.

Rezultatet kryesore të projektit do të përfshijnë:

  • Një databazë gjeo-referencash dhe një hartë interaktive, me akses të hapur për barrierat në lumenj;
  • Një listë të prioritizuar të barrierave kandidate për heqje;
  • Analiza teknike dhe ligjore mbi fizibilitetin e heqjes;
  • Rekomandime strategjike për ndërhyrje të ardhshme restauruese.

Angazhimi i aktorëve lokalë është thelbësor për suksesin e projektit. Komunitetet, bashkitë, organizatat mjedisore dhe autoritetet e menaxhimit të ujërave do të përfshihen gjatë gjithë procesit për të garantuar transparencë, bashkëpunim dhe ndërtim kapacitetesh për ruajtjen afatgjatë të lumenjve.

Përmes rikthimit të lidhshmërisë së degëve me lumin kryesor, projekti do të forcojë integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, do të kontribuojë në përmbushjen e objektivave kombëtare dhe atyre të Bashkimit Evropian për ujin dhe biodiversitetin, si dhe do të krijojë një model të ripërsëritshëm për restaurimin e lumenjve në Shqipëri.

Programi Evropian për Lumenjtë e Hapur (European Open Rivers Programme) është një organizatë holandeze që ofron grante, e dedikuar restaurimit të lumenjve. Programi mbështet projekte që çojnë në heqjen e digave të vogla dhe në rikthimin e rrjedhës natyrore të lumenjve dhe biodiversitetit. Programi financohet nga Arcadia.

Artikuj lidhur me projektin

×