Zemra blu e Evropës rreh në Ballkan. Lumenjtë dhe peizazhet e tyre lumore janë nga ekosistemet më me vlerë në Evropë.
Ata janë thuajse të paprekur dhe të larmishëm, por janë njëkohësisht edhe nën një presion të madh nga “Vala” e re e projekteve të infrastrukturës, kryesisht hidrocentrale. Lumenjtë e Ballkanit janë një nga pikat e nxehta për larminë biologjike në Evropë, por në të njëjtën kohë edhe për biznesin e ndërtimit të digave.
Lumenjtë në Gadishullin Ballkanik janë ndër lumenjtë më të mire ruajtur në tërë Evropën. Më shumë se 60% e tyre janë në gjendje të mirë ose shumë të mire hidromorfologjike. Si pikë e nxehtë larmie biologjike, në ta gjallojnë 69 lloje peshqish endemike dhe më shumë se 50% i të gjithë llojeve të molusqeve evropiane të ujërave të ëmbla. Megjithatë kjo “Zemër Blu e Evropës” kërcënohet nga projektet hidroenergjetike: më shumë se 570 diga të reja janë projektuar nga Sllovenia në Shqipëri.
Vendimmarrësit politik dhe publik kanë pak ose aspak njohuri për këtë, aq me pak për vlerat dhe kërcënimet ndaj tyre. Megjithatë për të mbrojtur lumenjtë e Ballkanit është bërë shumë punë nga WWF, EURONATUR dhe iniciativa të tjera nga OJQ-të e vendeve të Ballkanit.
Prandaj OJF-të mjedisore ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur, së bashku me partnerët lokal si EcoAlbania në Shqipëri kanë nisur fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim edhe me disa organizata kombëtare partnere, me qëllim mbrojtjen e lumenjve më me vlerë dhe degëve të tyre në Evropën Juglindore nga shkatërrimi përmes zhvillimit të pakontrolluar të projekteve hidroenergjetike.
Qëllimi i fushatës është që të shpëtojmë lumenjtë unikalë të Ballkanit duke ruajtur rrjedhën dhe zgjatimet më me vlerë që ata kanë lidhur me ekologjinë dhe biodiversitetin. Ata duhet të ruhen në të mirë të natyrës, biodiversitetit, dhe të njerëzve për të cilët këta lumenj kanë një kuptim të thellë simbolik dhe kulturor, si edhe për ata që mund të vijnë nga vende të tjera në kërkim të njohjes me lumenjtë e fundit të paprekur në Evropë. Fushata, është e përqendruar në tri zona kyçe të cilat janë veçanërisht me vlerë: lumi Vjosa në Shqipëri, lumi Radika në Parkun Kombëtar Mavrovë në Maqedoni, dhe lumi Sava në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.
Rritja e ndërgjegjësimit publik rreth lumenjve të Ballkanit, vlerave ekologjike dhe cënueshmërisë së tyre;
Koordinimi për hartimin e një masterplani të HEC-eve duke përcaktuar zonat e ndaluara për ndërtim digash në lumenjtë e Ballkanit;
Përmirësimi i njohurive në lidhje me biodiversitetin e këtyre lumenjve që luajnë një rol vendimtar në drejtim të lidhjeve biologjike dhe endemizmit në rajon.