Shpallja e Vjosës si Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë, në mars të vitit 2023, shënoi një arritje historike për mbrojtjen e lumenjve dhe biodiversitetit. Megjithatë, mbrojtja ligjore është vetëm një nga hapat drejt ruajtjes afatgjatë të këtij ekosistemi unik. Ndotja, nxjerrja e inerteve, depozitimi i mbetjeve, marrja dhe devijimi i ujit, si dhe ndërhyrjet e tjera në pellgun lumor, vijojnë të përbëjnë kërcënime për integritetin e tij ekologjik.
Projekti Vjosa–Aoós 2.0 – Forcimi i mbrojtjes ndërkufitare të pellgut lumor Vjosa–Aoós synon të ndërtojë mbi arritjet e deritanishme të mbrojtjes së lumit, duke e zhvendosur fokusin nga arritja e statusit mbrojtës drejt zbatimit efektiv të tij në terren dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Në Shqipëri, një nga komponentët kryesorë të projektit është ngritja e një mekanizmi sistematik për monitorimin e kërcënimeve mjedisore dhe vlerësimin e zbatimit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa. Përmes vizitave periodike në terren, mbledhjes së të dhënave dhe dokumentimit të ndryshimeve, projekti do të mundësojë identifikimin e kërcënimeve dhe evidentimin e mospërputhjeve ndërmjet masave të parashikuara në planin e menaxhimit dhe situatës reale në terren.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces do të kenë komunitetet lokale, përmes ngritjes dhe angazhimit të grupeve komunitare të monitorimit, të njohura si River Guardians (Kujdestarët e Lumit). Përfshirja e tyre në monitorimin e kërcënimeve, mbledhjen e të dhënave dhe diskutimin e rezultateve synon të forcojë pjesëmarrjen e komuniteteve në mbrojtjen dhe menaxhimin e parkut kombëtar.
Rezultatet e monitorimit do të pasqyrohen në raporte, harta interaktive dhe dokumente informuese, të cilat do të shërbejnë si bazë për dialogun me institucionet përgjegjëse, si dhe për advokimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfshirë institucionet e Bashkimit Evropian dhe Konventën e Bernës.
Në Greqi, projekti do të fokusohet në ruajtjen dhe rikthimin e lidhshmërisë ekologjike të pellgut të Aoós-it, adresimin e problematikave që lidhen me prurjet ekologjike dhe barrierat lumore, monitorimin e projekteve të planifikuara hidroenergjetike, si dhe ruajtjen e llojeve vendase të peshqve.
Në nivel ndërkufitar, projekti parashikon harmonizimin e vlerësimeve ekologjike në të dyja vendet, hartimin e një Strategjie Ndërkufitare të Konservimit, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, kulturore dhe ndërgjegjësuese, si dhe forcimin e vëmendjes kombëtare dhe ndërkombëtare ndaj pellgut lumor Vjosa–Aoós.
Duke e trajtuar Vjosën dhe Aoós-in si një ekosistem të vetëm, përtej kufijve administrativë dhe politikë, projekti synon të kontribuojë në një model të qëndrueshëm të mbrojtjes ndërkufitare të lumenjve, të mbështetur në shkencë, pjesëmarrje komunitare, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.