EcoAlbania ka nisur zbatimin e projektit për përmirësimin e shtegut ekoturistik Lekbibaj – Liqeni i Komanit – Palç, në Parkun Natyror Nikaj–Mërtur, në kuadër të Programit SMILES të Dorcas Albania.
Projekti synon të përmirësojë aksesueshmërinë, sigurinë dhe orientimin përgjatë itinerarit, duke krijuar një përvojë më të mirë për vizitorët dhe njëkohësisht duke ruajtur karakterin natyror, peizazhor dhe kulturor të zonës. Ndërhyrjet do të bazohen në parimet e turizmit të qëndrueshëm dhe ndikimit minimal në mjedis, duke synuar krijimin e një infrastrukture të lehtë dhe funksionale që mund të mirëmbahet në afat të gjatë.
Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e parë të zbatimit. Ekipi i EcoAlbania ka realizuar punën në terren për mbledhjen e koordinatave GPS përgjatë itinerarit, ndërsa po vijon përpunimi dhe hartëzimi GIS i të dhënave të mbledhura. Kjo fazë është baza teknike për planifikimin e ndërhyrjeve të mëtejshme dhe mundëson evidentimin e gjurmës së shtegut, segmenteve prioritare, pikave panoramike dhe vendeve me interes natyror e kulturor, si dhe zonave ku nevojitet orientim, sinjalistikë apo masa të tjera për përmirësimin e sigurisë së vizitorëve.
Bazuar në vlerësimin teknik dhe hartëzimin e itinerarit, fazat e mëtejshme të projektit do të përfshijnë rehabilitimin selektiv të segmenteve ku ndërhyrja është e nevojshme, zhvillimin e një sistemi të standardizuar markimi dhe orientimi, vendosjen e sinjalistikës orientuese dhe interpretuese, si dhe identifikimin e pikave të përshtatshme të pushimit. Çdo ndërhyrje do të planifikohet duke minimizuar ndikimin mbi habitatet dhe peizazhin natyror.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është gjithashtu përfshirja e komuniteteve dhe aktorëve lokalë. Njohuritë dhe përvoja e banorëve, guidave, operatorëve turistikë dhe institucioneve vendore do të kontribuojnë në identifikimin e nevojave reale të itinerarit dhe në krijimin e një shtegu që mund të menaxhohet dhe mirëmbahet në mënyrë të qëndrueshme edhe pas përfundimit të projektit.
Përmes kësaj ndërhyrjeje, EcoAlbania synon të kontribuojë në zhvillimin e ekoturizmit në Parkun Natyror Nikaj–Mërtur, duke krijuar një lidhje më të fortë mes mbrojtjes së natyrës, përvojës së vizitorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.
Hapi i parë është hedhur: nga terreni dhe koordinatat, drejt një shtegu më të sigurt, më të qartë dhe më të qëndrueshëm.