Zhvillimi i ekoturizmit është shumë i rëndësishëm veçanërisht për një vend me kaq shumë burime natyrore si Shqipëria.
Sipas INSTAT gjatë vitit 2019, në Shqipëri kanë hyrë 6.1 milionë turistë të huaj. Rritja e numrit të turistëve shoqërohet në mënyrë të pashmangshme me një rritje të numrit të të punësuarve në sektorin e ekoturizmit. Përmirësimi i infrastrukturës dhe menaxhimit turistik, si dhe promovimi i saj do të krijojë parakushte për mundësi të reja pune dhe gjenerim të ardhurash për komunitetet lokale.
Lugina e Vjosës është një nga zonat me potencial të madh për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të bazuar në mjedisin dhe vlerat kulturore në Shqipëri. Puna e mëparshme e EcoAlbania dhe organizatave të saj partnere ndërkombëtare ka luajtur një rol të rëndësishëm në theksimin e vlerave shumëdimensionale të Vjosës.
Të rinjtë e zonës kërkojnë mundësi të reja pune, ndërkohë që potenciali për ekoturizëm në zonë është i lartë. Atyre aktualisht u mungojnë njohuritë se si të sigurojnë jetesën e tyre duke u mbështetur në ekoturizmin, përvoja/trajnimi në ofrimin e shërbimeve dhe praktikat e menaxhimit të turizmit.
Për të ndihmuar të rinjtë të dalin nga papunësia EcoAlbania ka ndërmarrë projektin “EYES on Vjosa”, i cili bën të mundur angazhimin e të rinjve nga zonat peri-rurale dhe rurale të luginës së Vjosës në trajnime, aktivitete praktike dhe ofrimin e infrastrukturës së re turistike për t’u përdorur nga të rinjtë.
Përfshirja e të rinjve në aktivitetet e ekoturizmit në Shqipëri.
T’u ofrojë të rinjve të zonës rurale dhe periurale të luginës së Vjosës aftësi të reja profesionale për të punuar në sektorin e ekoturizmit;
Të japë shembullin e mirë të ndërhyrjes praktike për ngritjen e objekteve që mundësojnë zhvillimin e ekoturizmit të zonës
Kohëzgjatja e projektit: Nëntor 2021 – Dhjetor 2021
Ky projekt zbatohet nga EcoAlbania i mbështetur nga Skema e Granteve të Vogla të ofruara nga projekti “Menaxhimi efektiv i burimeve natyrore në mbështetje të ekonomisë së gjelbër për një zhvillim të qëndrueshëm të Luginës së Vjosës-Zagori“.