Zhvillimi i qëndrueshëm i luginës së Vjosës “mbledh” në takim Miqtë e Vjosës

Në vazhdën e takimeve të miqve të Vjosës, përfaqësues të institucioneve, gazetarë, dhe dashamirës të mjedisit u mblodhën më 15 tetor 2020 në Tiranë për të diskutuar mbi ecurinë e ngjarjeve në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e Vjosës. Takimi erdhi pas vendimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për refuzimin e lejes mjedisore, që do i hapte rrugën ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit, si dhe pas hapave të rëndësishëm të ndërmarrë nga Komuniteti i Energjisë për hapjen e çëshjes kundër Shqipërisë, mbi hartimin e Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit.

Në takimin e zhvilluar në përmbushje me të gjithë protokollet e sigurisë ndaj COVID-19, Gjergj Buxhuku, Administrator i Konfindustrisë bëri të ditur për të pranishmit që institucioni që ai drejton do të organizojë ‘Forumin për ndërtimin e strategjisë për zhvillimin e qëndrueshëm të basenit Vjosë’, ku ftoi për bashkëpunim edhe EcoAlbania-n.

Takimi i miqve të Vjosës. (c) EcoAlbania

Ndërsa, gazetari i mirënjohur, Ben Andoni vuri theksin mbi situatën politike parazgjedhore, duke sugjeruar skenare veprimi pas zgjedhjeve kombëtare në muajin Prill. “Duhet të lobohet për vendosjen e çështjes së Vjosës në platformat elektorale”, tha Andoni.

Diskutimet e të pranishmëve u fokusuan edhe te sfidat dhe hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Përpjekjet e grupimit të ‘Miqve të Vjosës’ në fushatën për të mbrojtur lumin e fundit të egër ne Evropë do të vazhdojnë, duke mbështetur vizionin për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar.

Takimet e miqve të Vjosës janë takime periodike që kanë si qëllim mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë. Për tu bërë pjesë e takimeve të radhës mund të na kontaktoni në: [email protected].