Zgjedhje pa program për mjedisin, partitë nuk prezantuan asgjë konkrete për Vjosën

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 nxiti pritshmëritë se me trysninë e duhur nga mjedisorët, organizatat dhe dashamirësit e natyrës, politika do të merrte angazhime konkrete për të vendosur parësore politikat për mjedisin.

EcoAlbania dhe organziata të ndryshme nxitën me fushata në rrjetet sociale dhe debate në emisionet televizive që politikanët të deklaronin publikisht qëndrimet e tyre për sa i përket çështjes së lumit Vjosa dhe projektet e planifikuara mbi të. Por jo të gjitha palët vepruan hapur.

Në debatet televizive Partia Socialiste (PS) u bazua kryesisht te vendimet e mëparshme për Vjosën ku përmendej vendimi i shpalljes “Park Natyror” si argument “pro” mjedisit. Megjithatë diskutimi për përfshirjen në një shkallë më të fortë mbrojtjeje të gjithë gjatësisë së lumit u anashkaluan. Njësoj u anashkalua edhe qëndrimi për sa i përket projekteve si aeroporti i Akërnisë dhe resortet turistike pranë “Peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë”.

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha u zotua në një vizitë elektorale në Tepelenë se ai “do ta mbrojë Vjosën” dhe se banorët e zonës duhet t’ia besojnë atij qeverisjen e vendit për këtë synim. Megjithatë në deklaratat e tij nuk pati asgjë konkrete për sa i përket mënyrës së mbrojtjes, apo qasjes që ai do të kishte për sa i përket projekteve të miratuara në pjesën e poshtme të Vjosës.

Gazetarja Ola Mitre konstatoi për “Gazetën Shqiptare” se PS nuk kishte në web-faqen e saj zyrtare asnjë dokument, apo ndërfaqe, për programin e saj qeverisës. Krejt ndryshe PD, e cila kishte përcjellë informacione të përgjithshme për programin e saj në web-fqen “Shqipëriafiton.al”, nuk kishte përfshirë asgjë për sa i përket mjedisit.

Në fakt asnjë parti në zgjedhjet e 25 qershorit nuk parashikoi një program të qartë për sa i përket mjedisit.

Në tërësi partitë ose nuk prezantuan program, ose në raste të tjera kur e prezantuan një, nuk parashikonin gjëra konkrete.

Partia Agrare Ambientaliste (PAA) – në koalicion me PD-në – kishte në programin e saj dy pika kryesore “mjedis të pastër” dhe “rritje e kontributit të ekonomisë së gjelbër”. PAA zotohej të përpilonte një strategji kombëtare të mjedisit dhe të nxiste politike dhe projekte në mbrojtje të burimeve natyrore.

“Nisma Thurje”, e cila doli e vetme në zgjedhjet parlamentare, kishte si program të ashtuquajturën “33 projektligjet”, një platformë që përveç mënyrës se si duhen shfrytëzuar burimet natyrore nuk parashikonte asgjë për mjedisin në tërësi.