Workshop me OSHC-të mjedisore në Tiranë

Dhjetë organizata mjedisore që operojnë në qarqet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Lezhës patën mundësinë të shtrijnë bashkëpunimet e para mes tyre përmes platformës online të projektit ENGONA (Environmental NGO Network in Albania/Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri). 

Kjo i hap rrugë një fryme më pozitive të angazhimit për ndërgjegjësimin ndaj problemeve mjedisore të ish-zonave industriale, zonave të prekura nga fundosja e tokës, apo dhe ndotjes nga përdorimi i përgjithshëm i qeseve plastike. 

Platforma e ENGONA-s mundëson rrjetëzim tematik për: advokimin mjedisor, legjislacionin, ndotjen dhe biodiversitetin. Po kështu ajo mundëson koordinim për kauzat e përbashkëta mjedisore dhe zbutjen e fragmentarizimit që ekziston mes organizatave të shoqërisë civile.

Nën moderimin e Anisa Feshtit, dhe kontributin si trajnues të Arben Malajt, Fjona Kurteshit dhe përfaqësuesve të katër rrjeteve tematike të platformës, organizatat patën mundësinë të shprehin problematikat e tyre dhe të njihen me punën e organizatave të tjera.

Ata vlerësuan nismën, faktin se platforma do të mund të përdoret prej tyre edhe pas përfundimit të projektit dhe shprehën vlerësimin se rrjetëzimi do të mund të përfshijë organizata të tjera.

Takimi trajnues me organizatat e shoqërisë civile u zhvillua më 27 maj 2022, nga Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (PPM) në bashkëpunim me organizatën EcoAlbania dhe Qendrën ACEG (Albanian Centre for Enviromental Governance).

Projekti ENGONA mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).