Workshop me OSHC-të mjedisore në Kukës

Veriu i Shqipërisë vuan mungesën e specialistëve të mjedisit, ndërsa organizatave lokale të shoqërisë civile u mungon bashkëpunimi. Kjo po ndikon që situata të ndryshme mjedisore të mos marrin vëmendjen e duhur.

Takim prezantues me përfaqësues të organizatave në qarqet Kukës, Dibër e Shkodër. (c) EcoAlbania

Por zgjidhja mund të vijë te bashkëpunimi më i ngushtë përmes një platforme që synon rritjen e kapaciteteve nga rrjetëzimi tematik i tyre për: advokim mjedisor, legjislacion, ndotje dhe biodiversitet.

Platforma është ngritur nga projekti ENGONA (Environmental NGO Network in Albania/Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri) që synon një koordinim për kauzat e përbashkëta mjedisore dhe zbutjen e fragmentarizimit që ekziston mes organizatave të shoqërisë civile.

Me rrjetin tematik tashmë të ngritur dhe operativ,  ENGONA zhvilloi një takim trajnues me përfaqësues të organizatave që operojnë në qarqet Kukës, Dibër e Shkodër. Platforma ofron akses dhe mundësi ndërlidhjeje apo konsultimi, për çështje të ndryshme edhe pas përfundimit të projektit.

Organizatat vlerësuan projektin duke u shprehur se nisma të tilla janë pikënisje shume e mirë për të sjellë bashkë organizatat që kanë në qendër të punës së tyre mbrojtjen e mjedisit.

Takimi me organizatat e shoqërisë civile u zhvillua më 22 korrik 2022, nga Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (PPM) në bashkëpunim me organizatën EcoAlbania dhe Qendrën ACEG (Albanian Centre for Enviromental Governance).

Projekti ENGONA mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).