Vjosa, përmes lentes së 7 fotografëve

Hapet ekspozita “Vjosa -Perla e egër e Evropës” në Muzeun Historik Kombëtar

Tiranë 13 qershor 2019. Është çelur në Muzeun Historik Kombëtar  ekspozita “Vjosa – Perla e egër e Evropës”, me rreth 50 fotografi nga lugina e Vjosës, të realizuara nga fotografë shqiptarë dhe të huaj. Ekspozita paraqet punën e 7 fotografëve, të cilët kanë dokumentuar peizazhet e mrekullueshme të luginës së Vjosës, vlerat natyrore, jetesën e komuniteteve, biodiversitetin, kërcënimet që i kanosen lumit të fundit të egër në Evropë dhe momente të rëndësishme gjatë betejës për ta mbajtur atë të lirë. Arti i sjellë nga Roland Tasho, Nick St. Oegger, Roland Dorozhani, Robert Hackman, Adrian Guri, Gregor Subic dhe Artan Rama pasqyron një tablo të plotë informative për publikun, duke i dhënë më shumë vëmendje çështjes për mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi i digave.

Vizitorët në ditën e hapjes së ekspozitës. (c) N. St. Oegger

“Ekspozita vjen si një nga format e zgjedhura prej nesh për të ndërgjegjësuar publikun dhe vendim-marrësit mbi rëndësinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie Evropiane. Shumë prej fotove janë shkrepur gjatë punës tonë disa vjeçare në Vjosë”, -tha Olsi Nika, drejtues i organizatës EcoAlbania.

Fotografi nga Kalifornia, Nick St. Oegger u shpreh se është mahnitur nga bukuritë e Vjosës. “Fakti se një lumë i tillë ende gjendet në Evropë, e bën atë një lumë unik. Kjo më ka shtyrë për të fotografuar bukuritë e Vjosës dhe komunitetitet që jetojnë përgjatë saj”,-u shpreh ai gjatë hapjes së ekspoozitës. 

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama kanë dhënë dritën jeshile për ndërtiin e 2 hidrocetraleve të mëdhenj: ai i Kalivaçit dhe  Poçemit, të cilët janë planifikuar të ndërtohen në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 13 – 16 qershor në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa do të pasohet me një tur ekspozitash në disa qytete të luginës së Vjosës.

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit.