Vjosa kërkon paqe!

Një reportazh nga Ben Andoni/ Revista JAVA

Për ata që nuk e dinë: Lumenjtë, e ashtuquajtur të egër, që i kanë mbetur ende kontinentit tonë, rrjedhin nëpër Ballkan. Por, habitatet e kafshëve dhe bimëve të jashtëzakonshme në to, sot po kërcënohen nga ndërtimi i digave. Në veçanti, “Vjosa” ka ngjallur një interesim ndërkombëtar për ta mbrojtur në kushtet në të cilat ndodhet. Një lëvizje ndërkombëtare, e përfaqësuar prej Riverwatch dhe Euronatur në bashkëpunim me EcoAlbania në Shqipëri, kanë nisur fushatën “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës” për këtë qëllim. Sa do t’ia arrijë? Sfida ka nisur, kurse “Miqtë e Vjosës” po shtohen me qëllimin e vetëm që Ajo…të shpallet Park Kombëtar.

Lumi Vjosa, Tepelenë. (c) JAVA  

Ka pak ditë që Vjosa, sëbashku me motrat e veta në Jug të Shqipërisë janë sertuar. Nga një furgon i pajtuar prej “EcoAlbania”-s (gati një javë më parë), ndjekim meandrimin dhe vende-vende pushtimin e egër të saj. Ndanë Novoselës, uji shtriqet i qetë në fusha, kurse përtej lumi rrjedh ende me tërsëllimë. Tre orë më vonë, në një kohë plumbi, mbërrijmë në Tepelenë. Vjosa është qetuar disi, por banorët e shumtë që janë mbledhur për të folur me rastin e një turi-njohës që po realizon EcoAlbania, ndjehen si të frustruar. Fjalosen. Afrohen pak e nga pak në një sallë në qendër të qytetit të bjerrë. Në traditën e zonës, nuk lënë romuzet që ndjekin këdo. Miqve u bëjnë korte. Salla e errët dhe tejet e mërzitshme e shton dramaticitetin e mbledhjes. Patetizmi sundon…Banorët flasin nën zë, por duket se një pjese, fare pak i bën përshtypje “EcoAlbania” dhe partnerët e saj, të Shoqërisë Civile, që kanë marrë përsipër mbrojtjen e lumenjve si Vjosa, me potenciale të mëdha natyrore prej zhvillimit të pakontrolluar të projekteve të hidro-energjisë. Shpejt mosbesimi dhe bezdia davaritet.  Përfaqësuesit e “Eco Albania”-s, të mbërritur prej një dite, i orientojnë në takimin e radhës, ku Prof. Aleko Miho, Dr.Vera Bekteshi dhe aktivisti i njohur gjerman i lumenjve Ulrich Eichelmann, u rrëfejnë në një diskurs shkencor-qytetar rëndësinë e ngritjes së një Parku Kombëtar përgjatë luginës shqiptare të Vjosës. Gjermani, përfaqësues i organizatës “Riverwatch”, në fundin e vitit, ka bërë të njëjtën gjë, duke u folur direkt banorëve të Përmetit, duke ua detajuar rëndësinë e kësaj pasurie të rrallë natyrore. Si ndodh zakonisht me shqiptarët, takimin fillimisht s’e marrin seriozisht, por studiuesit s’duan t’ia dinë. Bekteshi mban një fjalë përmbledhëse duke e lënë me kortezi të flasë Eichelmann-in. 52 vjeçari flet shkurt dhe falë power point i shpalos qartë idetë e veta. Janë gati 600 diga, që do bëhen nga Sllovenia deri në Shqipëri.

Nuk pitëtin askush. Ne do të donim, që ju të mos bënit gabimet tona, paçka se evropianët ndihmojnë edhe këta që bëjnë diga, u thotë ai qytetarëve. “Vjosa është një ndër lumenjtë e vetëm të egër të mbetur në Evropë e si i tillë duhet mbrojtur”, thekson. Është një idealist pak i çmendur në variantin shqiptar. Apelin e ka paraqitur në një artikull interesant të ‘Der Spigel’, në versionin anglisht, kurse “Geo Magazine”, pas kësaj,  është mrekulluar me Vjosën duke i atribuuar dy faqe. Vendasit heshtin. Disa gra flasin dhe qesëndisin njëra-tjetrën. Anipse, studiuesit vijojnë: “Nëse Shqipëria do të futet në BE, një nga këndvështrimet do të jetë: po ‘çfarë mund të na ofrojë ne’ dhe kjo nuk do të jetë industria, por natyra. Ta quajmë si shtim të vlerave të BE-së”, dëgjohet burri. Prof. Miho i kthjellon të gjithë, kur u thotë shkurt: “Ne e vrasim Vjosën po u vazhdua kështu dhe për fat ne kemi mundësi ta mbrojmë pikërisht me legjislacionin e BE-së, duke mos i ndërtuar digat e hidrocentraleve”. Me pak fjalim duhet të ndalojmë 8 digat, që planifikohen të ndërtohen shpjegon. “Çertifikimi më i mirë i këtij lloj rajoni është parku kombëtar”, e mbyll gjermani, që me gjuhën e trupit dhe pamjen atletike, u tregon se sfida ka filluar dhe tashmë topin e kanë ata njerëzit e Vjosës.

Reportazhin e plotë, botuar në revistën JAVA mund ta lexoni këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *