Vijojnë forumet lokale në kuadër të nxitjes së nismës ligjore qytetare mjedisore – Mbahet takimi i dytë në Tepelenë

Në vijim të veprimtarisë lobuese dhe advokuese për përmirësimin e legjislacionit për koncesionet e HEC-eve në Shqipëri, EcoAlbania ka vijuar me zhvillimin e forumeve lokale.

Më datë 23 Qershor 2018 u zhvillua takimi i dytë në Tepelenë, me pjesëmarrës organizatat lokale mjedisore, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të Bashkive Tepelenë dhe Memaliaj, DRM Gjirokastër, Prefektura e Qarkut Gjirokastër, gazetarë, etj. Ekspertët e politikave mjedisore dhe ata ligjorë prezantuam draftin e analizës së planeve, strategjive dhe legjislacionit kombëtar të sektorëve të energjisë, turizmit, mjedisit dhe ujit, në frymën e përafrimit të tyre me legjislacionin e BE.

 “Asnjë autoritet publik nuk duhet të shpallë një garë koncesionare pa u siguruar që objekti i garës të jetë në përputhje me planet dhe strategjitë kombëtare”, – u shpreh ekspertja ligjore E. Tivari, duke shtuar se ligji duhet të sigurojë garanci në këtë drejtim. Më tej, ajo theksoi edhe rëndësinë e specifikimit të elementeve që duhet të përmbajë tarifa koncesionare, duke cilësuar si tejet të rëndësishme ekzistencën e një komponenti të veçantë si pagesë për shfrytëzimin e burimeve natyrore nga kompania koncesionare.

Gjatë takimit me organizatat lokale mjedisore, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të autoriteteve lokale në Tepelenë. (c) V. Kabili

Ndërkohë një ndër shqetësimet që u ngrit nga të pranishmit ishte e ardhmja këtyre projekteve hidroenergjetike pas përfundimit të afatit të koncesionit. Sipas tyre, duhet të ekzistojë një parashikim specifik ligjor që detyron autoritetet shtetërore të konsultohen me  komunitetin lokal, lidhur me vendimmarrjen për të ardhmen e një vepre hidroenergjetike pas përfundimit të afatit të parashikuar në kontratën koncesionare.

Forumi i Tepelenës do të pasohet nga 3 tryeza të tjera që do të zhvillohen në Shkodër, Prrenjas dhe ajo kombëtare në Tiranë. Rekomandimet që do të dalin nga ekspertë, OShC-të dhe institucionet do të shqyrtohen dhe do të përfshihen në draftin final të rekomandimeve për ndryshimet e legjislacionit të koncesioneve për HEC-et.

Gjatë diskutimeve midis ekspertëve dhe pjesëmarrësve në takim. (c) V. Kabili

Ky takim organizohet në kuadër të projektit “AKTIV II- Angazhimi i Komunitetit-Tregues i Integrimit në Vendim-marrje” që po zbatohet nga EcoAlbania në partneritet me organizatat lokale Aleanca e Alpeve Shqiptare dhe Argonaut. Ai financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë vendore nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC.