Top Channel: Valbona, pa asnjë HEC. Qeveria tërhiqet, por jo protestuesit

Qeveria duket se e ka rishikuar qëndrimin e saj për hidrocentralet mbi Valbonë. Tashmë vetëm dy prej tyre do të ndërtohen, edhe ato në përputhje me natyrën dhe kulturën lokale. Por për vet banorët, që duan një Valbonë të virgjër nga ndërhyrjet e njeriut, kjo nuk duket të jetë mjaft. Alarmit të tyre po i bashkohen edhe njerëz të artit dhe politikës.

“Dy dhe jo 11 kanë marrë ‘dritën jeshile’ për shkak të pamundësisë së plotë ligjore për të bërë anulimin. Janë kaluar në filtra njëri pas tjetrit, për të garantuar cilësi projektimi inxhinierik të njëjtë me hidrocentralet e së njëjtës natyrë, që janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen në Europën e Veriut. 9 të tjerave nuk ua kemi hapur ‘dritën jeshile’”, tha kryeministri Edi Rama.

Por as kjo, duket se nuk i kënaq banorët e Valbonës. Amerikanja me banim në Valbonë, Catherine Bohne thotë se, asnjë nga këto hidrocentrale nuk duhet të ndërtohet.

“Është lajm i mirë, por nuk mjafton. Ne kërkojmë të ndalohen punimet që po bëhen në këtë moment, të paktën deri në kryerjen e një hetimi dhe një studimi të hollësishëm. Ne besojmë se një studim i saktë do të dalë me konkluzionin, që nuk duhet të ndërtohet asnjë nga hidrocentralet”, tha Catherine Bohne, banore e Valbonës.

Gjergj Bojaxhi thotë se, përtej diskutimeve teknike, ajo që duhet marrë në konsideratë është fakti që Valbona është zonë e mbrojtur dhe e vetmja luginë alpine, së bashku me Thethin.

“Standardi i zonave të mbrojtura e shpreh qartë, që nuk mund të ketë punime të këtij lloji brenda zonave të mbrojtura. Nëse ligji interpretohet ndryshe, atëherë ne si qytetarë kemi nevojë të dimë që ligji i zonave të mbrojtura, në fakt nuk është duke mbrojtur zonat e mbrojtura. Dhe ne kemi nevojë të çojmë propozimin për të ndryshuar legjislacionin”, tha Gjergj Bojaxhi, aktivist i shoqërisë civile.

Vendimi për të zbatuar vetëm dy nga 11 projektet nuk ka kënaqur as një grup artistësh, mes të cilëve Elina Duni dhe Eda Zari, të cilat do të mbajnë një koncert-protestë për mbrojtjen e Valbonës.

Artikullin e publikuar nga Top Channel mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *