Teknikat e advokimit mjedisor

Për t’u ardhur në ndihmë organizatave të shoqërisë civile që angazhohen në mbrojtjen e mjedisit dhe shfaqin interes në projektin e rrjetëzimit, grupi i punës së projektit ENGONA (Enviromental NGO Network in Albania/Rrjetëzimi i Organizatave Mjedisore në Shqipëri) ka hartuar disa infografika përmbledhëse të teknikave të advokimit.

Advokimi për kauzat mjedisore është një proces që në thelb synon bindjen e publikut ose vendimmarrësve për të vepruar rreth një çështje që ndikon apo rrezikon mjedisin. Procesi parashikon motivimin dhe përfshirjen e komuniteteve, aktivistëve, si dhe përfaqësuesve të qytetarëve në organet e qeverisjes vendore apo qendrore.

Advokimi përmes një rrjetëzimi të organizatave është efektiv pasi shton kapacitetet e ekspertizës, ul kostot ekonomike për fushatat ndërgjegjësuese apo për përballjet ligjore.

Në infografikë përmenden gjithashtu ligji ndërkombëtar mjedisor, parimet kryesore të tij dhe ligjet e lidhura me të drejtën mjedisore.

Ndër parimet kryesore të ligjit ndërkombëtar mjedisor janë : parimi i zhvillimit të qëndrueshëm, i ruajtjes së burimeve natyrore, i së drejtës për informim, pjesëmarrjes së publikut, qasjes së integruar, kompensimit, përgjegjësisë së ndërsjelltë dhe bashkëpunimit.

Infografika, e cila mund të qaset duke klikuar këtu, tregon gjithashtu qasjet e advokimit, instrumentet e tij, çfarë është një traktat ose konventë, si dhe sfidat që hasen më së shumti për çështjet mjedisore. Informacioni mund të aksesohet edhe në versionin e një videoje të shkurtër grafike e cila gjëndet duke klikuar këtu.