Zonat e mbrojtura

Seanca e dytë gjyqësore mbi zonat e mbrojtura të kategorisë së katërt, Rezervat i menaxhuar/Park Natyror

Në sallën e Gjykatës Administrative të Apelit, gjatë zhvillimit të seancës së dytë gjyqësore për Rezervat Natyrore/Parqet Natyrore të menaxhuara (kategoria IV). (c) AOS

2 mars 2023, Tiranë. Sot u zhvillua seanca e dytë gjyqësore mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 60, datë 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore/Parqeve Natyrore të Menaxhuara (Kategoria IV), në Gjykatën Administrative të Apelit, ku 11 Organizata të Shoqërisë Civile Mjedisore Shqiptare kanë paditur autoritetet publike për shfuqizimin e vendimit  të Këshillit të Ministrave nr. 59 dhe nr. 60.

Në seancë morrën pjesë nga pala paditëse avokat Franc Terihati  CLE, avokat Irena Dule Res Publica dhe Besjana Shehu AOSALB, ndërsa nga pala e paditur, Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk u paraqit asnjë përfaqësues dhe nuk u paraqitën prapësime dhe prova për të kundërshtuar pretendimet e parashtruara në padi.

Deri më tani procesi ka avancuar me depozitimin  a) e kërkes-padisë, b) e provave shkresore, c) e kërkesës për saktësimin e objektit të padisë duke kundërshtuar rishikimin e sipërfaqeve, kufijve dhe statusit të zonave; Bredhi i Sotirës, Korab–Koritnik, Qafështamë, Syri i Kaltër, Bredhi i Kardhiqit, Gërmenj, Karaburun, Kune–Vain–Tale dhe Patok – Fushëkuqe – Ishëm, Liqeni i Shkodrës dhe heqjen e 10 zonave të tjera; d) e kërkesës për kryerjen e aktit të eksertimit, dh) e parashtrimeve shtesë lidhur me legjitimimin e organizatave jofitimprurese.

Në këtë seancë Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk kishte përfaqësues të pranishëm. Gjithashtu, Avokatura e shtetit ka paraqitur kërkesë për thirrjen në cilësinë e personit të tretë të Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjensisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Ndërkohë, seanca e sotme u shty për shkak se parashtrimet shtesë lidhur me legjitimimin e organizatave jofitimprurëse të cilat janë depozituar që në daten 23.02.2023, nuk i ishin përcjellë gjyqtares nga sekrataria dhe për rrjedhojë vetëm diten e sotme gjykata i mori në administrim për t’ia komunikuar Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit.

Seanca e radhës për Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 60 do të zhvillohet më 17 Mars 2023 ora 09:00, dhe data për seancën e parë gjyqësore për Vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 59, datë 26.1.2022, “Për Miratimin e Ndryshimit të Statusit Dhe të Sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore Park Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, është caktuar më 10 Mars ora 09:00.

Oganizatat paditëse:

AOS-Albanian Ornithological Society

EcoAlbania @Res Publica

CLE – Centre for Legal Empowerment

Qendra EDEN/ EDEN Center 

Protection and Preservation of Natural Environment in Albania

Milieukontakt Albania (member of Milieukontakt International Netëork)

REC Albania

Qendra ACEG

Qendra Kujri

Qendra Impetus 

 

Më shumë

Kërcënohen Zonat e Mbrojtura në Shqipëri për t’i hapur rrugë projekteve infrastrukturore

++ Vendimi i KKT i marrë në bllok për Rrjetin e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri fshin nga harta zonat me rëndësi ndërkombëtare dhe kombëtare ++

Tiranë 20 Mars 2021– Grupimi i organizatave mjedisore dhe botës akademike në Shqipëri, të mbështetur nga organizata të huaja patnere, kundërshton me forcë procesin dhe rezultatet e Rishikimit të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në Shqipëri. Shkak për rinisjen e debatit është bërë publikimi i projekt-vendimit të KKT Nr. 10, datë 28 dhjetor 2020, që ka vendosur për përcaktimin e kufijve dhe zonimit të brendshëm të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura. Vendimi është marrë pas nismës së shpallur më parë në gusht 2019 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Projekt-vendimi përjashton nga Zonat e Mbrojtura në Divjakë-Karavasta, Butrint, Vjosë-Nartë, Bunë-Velipojë etj sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore me përdorim tradicional si dhe zona urbane. Për më tepër ky project-vendim fshin nga harta rreth 15,000 ha të Zonave të Mbrojtura sikurse Luzni-Bulac, Piskal-Shqerri, Dardhë-Xhurrë, etj. Rasti më flagrant është përjashtimi nga Zona e Mbrojtur i sipërfaqes së aerportit në Akërni (Vlorë) dhe heqja e gjithë sipërfaqes së ullishtave në kodrat e Panajasë. Duke i’u referuar hartës, ky project-vendim bën shoshë Parkun e Dajtit, të Divjakës, Bunë-Velipojën, Tomorrin etj.

“Vendimi fragmenton zonat e mbrojtura duke lënë hapësirat urbane dhe bujqësore tërësisht jashtë kontrollit të Zonave të Mbrojtura dhe këto të fundit në mëshirë të veprimtarive të ardhshme që mund të shkelin funksionin e vetë zonave të mbrojtura. Në historinë e zonave të mbrojtura ky moment do të mbahet mend si sulmi më i rëndë ndaj integritetit dhe funksionalitetit ekologjik të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri.”. thotë Taulant Bino, President i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS).

Procesi i nisur në gusht 2019 dhe udhëhequr nga AKZM është finalizuar në shkurt 2020 dhe është prezantuar në një grup të gjerë institucionesh, OJF-sh, donatorësh etj. si një ndër arritjet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që do të saktësonte dhe identifikonte në mënyre përfundimtare dhe të hartëzuar gjithë rrjetin e Zonave të Mbrojtura. Mes shifrash e nenesh, AKZM u kujdes të theksonte se procesi ka ndërmarrë rreth 44 dëgjesa publike me aktorët e interesuar anekënd vendit.

“Në fakt gjatë procesit mund të jenë zhvilluar takime publike por jo dëgjesa publike, – sqaron Av. Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Respublica. “Ligji e përcakton qartë se çfarë konsiderohet dhe si organizohet një dëgjesë publike, duke nisur që nga fazat e hershme që është njoftimi për dëgjesën e deri te organizimi dhe ndarja e informacionit për opinion. Ne e kemi ndjekur procesin nga afër dhe mund të themi që degjesat nuk janë zhvilluar sipas përcaktimeve që parashikon ligji” përfundon Av. Matlija.

Grupimet e OJF-ve dhe përfaqësues të botës akademike kanë ngritur edhe më herët shqetësimet e tyre mbi transparencën e procesit si edhe metodologjinë e ndjekur duke fshirë nga ZM-të ekzistuese jashtë çdo lloj kërkese ekologjike të funksionit të një zone të mbrojtur. Harta të tilla ‘zonimi’ janë jashtë çdo kriteri të mbrojtjes së natyrës, duke rënë ndesh me shumë standarde ndërkombëtare. Një mënyrë e tillë legjitimon shumë ndërhyrje abuzive të bëra në gjithë këta vite, dhe lë shteg edhe për ndërhyrje të tjera në të ardhmen.

Grupi i organizatave dhe profesore te shkencave te natyres gjate konferenes per shtyp. (c) Kristi Bashmili/ AOS

“Ne që në krye të herës e kemi cilësuar këtë process si të domosdoshëm, por mënyra sesi është zhvilluar, ka qenë shumë e ngutshme dhe e pamundur për t’u realizuar në një kohë kaq të shkurtër. E kemi theksuar edhe më pare se shpallja, rishikimi apo heqja nga rrjeti i një zone të caktuar duhet të kalojë përmes një procesi të standardizuar kërkimi shkencor, konsultimi të gjerë me palët e interesit dhe aprovimi ndërinstitucional. Për fat të keq, edhe pse e kemi kërkuar me forcë gjatë 2019-s, kjo nuk ka ndodhur.”- shprehet Prof. Dr. Aleko Miho, Drejtues i Grupit të Botanikës pranë Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Me sa duket AKZM në fazën finale i ka shpërfillur të gjithë argumentat dhe kundërshtinë e shprehura nga OJF-të lidhur me rishikimin e Zonave të Mbrojtura, duke dërguar në KKT studimin mbi të cilin është bazuar edhe projekt-vendimi i datës 28 dhjetor 2020.

Ne e konsiderojmë të dëmshëm, jo tranasparent dhe të pabazuar në parimet e mbrojtjes së natyrës këtë vendim të KKT, që me shumë gjasa do t’i paraprijë dëmtimit të pjesës më të vlefshme të Rrjetit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri. Për këtë arsye ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e drejtuesit të KKT që ta anulojë këtë vendim” – tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. “Ne si grupim organizatash jemi të vendosur të ndjekim çdo rrugë dhe të përdorim çdo mjet demokratik që të kemi një vendimmarrje që garanton ruajtjen e Zonave të Mbrojtura në terma aftatgjatë” – përfundoi ai.

Kjo është një deklaratë e përbashkët për shtyp nga Profesorë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranë dhe organizatat e mbrojtjes së mjedisit:

Prof. Aleko Miho | Prof. Ferdinand Bego | Prof. As. Mihallaq Qirjo

EcoAlbania

Ekolëvizja

FOUR PAWS

ILIRIA – Mbrojtja dhe Shoqata e Zhvillimit Social dhe Mjedisor, Shqipëri

Instituti i Politikave Mjedisore (IEP)

Milieukontakt Albania

Qendra Burimore e Mjedisit (REC Shqipëri)

Qendra EDEN

Qendra Res Publica

Qendra për Ruatjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)

Qendra Shpendët e Shqipërisë (BOA)

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)

WWF Adria

 

 

Më shumë

Organizatat Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Mbrojtje të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”

Divjakë, datë 28 maj 2017.  Organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të mos lejojë urbanizimin e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta“ dhe të garantojë mbrojtjen që i takon sipas Ligjit të Zonave të Mbrojtura dhe Konventave Ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.

IMG_3761

Foto nga Konferenca për Shtyp në Divjakë, © Besjana Guri

Njoftimi për planet e kompanisë Mabetex për të ndërtuar një qendër të re urbane në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ka shqetësuar shumë organizata me fokus mbrojtjen e natyrës, të cilat e kanë ngritur zërin kundër këtij plani shkatërrues për ligatinat më të rëndësishme në detin Adriatik.

Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është shpallur territor i mbrojtur që në vitin 1964. Sot ai zë një sipërfaqe prej më shumë se 22 200 ha dhe mbron një ekosistem unik të përbërë nga laguna, duna ranore, pyje bregdetare me florë dhe faunë shumë të pasur. Në këtë ekosistem gjenden pyjet me pisha mbi 400 vjeçare, është zonë qëndrimi për miliona shpendë shtegtarë dhe përbën vendin e vetëm të folezimit të Pelikani Kaçurrel, simbolit të Parkut Kombëtar dhe të natyrës në Shqipëri.

“Për shkak biodiversitetit të tij të pasur, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shpallur në vitin 1995 si Zona e Parë Ramsar në Shqipëri. Përveç kësaj, zona është listuar si Kandidat për Rrjetin Emerald nga Konventa e Bernës dhe njëkohësisht zonë pilot për rrjetin Natura 2000 në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një vendimmarrje për ndërtimin një qendre urbane në zemër të Parkut Kombëtar do të sillte fundin e zonës së mbrojtur” tha Gabriel Schwaderer, nga Fondacioni Gjerman për Ruajtjen e Natyrës, EuroNatur.

Projekti i ndërtimit Mabetex dhe infrastruktura shoqëruese e tij ndikojnë në të gjithë Parkun edhe pse zona e ndërtimit mbulon 1170 ha. Ai parashikon të presë 18000 vizitorë në ditë, ndërtesa 6 deri në 20 kate përgjatë më shumë se 12 km vijë bregdetare, 2400 apartamente, 370 vila dhe hotele me 4300 shtretër. “Resorti i planifikuar në PK Divjakë-Karavasta bie ndesh jo vetëm me ligjet për mbrojtjen e natyrës por gjithashtu nuk garanton zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Ne besojmë se turizmi masiv, sidomos në këtë Park Kombëtar, nuk është pika më e fortë e Shqipërisë. Për të qenë konkurrentë me fqinjët, Shqipëria duhet të orientohet drejt eko-turizmit. Ndërtimi i këtij qyteti të ri do të linte në harresë vetë qytetin e Divjakës dhe do të falimentonte bizneset e sapolindura në zonë”, tha Olsi Nika, drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Shndërrimi i Parkut në një kantier gjigand ndërtimi për mbi 15 vjet dhe kthimi i tij në një qytet të madh dhe të zhurmshëm do të sjellë tjetërsimin e pakthyeshëm të ekosistemit dhe humbjen e të gjitha gjallesave. “Ne jemi tërësisht kundër këtij modeli të propozuar dhe do të vijojmë përpjekjet tona me të gjitha mjetet demokratike ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mos lejuar një vendimmarrje të gabuar e të rrezikshme për të gjitha Zonat e Mbrojtura në Shqipëri”, tha Taulant Bino, Drejtor Ekzekutiv i AOS.

OJQ-të kombëtare të ruajtjes së natyrës AOS, EcoAlbania dhe PPNEA, së bashku me OJQ-në ndërkombëtare EuroNatur, kundërshtojnë fuqimisht planet urbanizuese të grupit Mabetex dhe i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë përkatëse të Mjedisit të mos lejojnë shkatërrimin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Më shumë

Resorti i Mabetex kërcënon Parkun Kombëtar “Divjakë – Karavasta”

28.05.2017, Divjakë. Në një konferencë për shtyp në lagunën e Divjakës, disa shoqata mjedisore,  kanë kundërshtuar ndërtimin e resortit nga Mabetex në Divjakë. Sipas organizatave AOS, EcoAlbania, PPNEA dhe EuroNatur, projekti është parashikuar të ndërtohet brenda Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, i cili është shpallur si zonë e mbrojtur që prej vitit 1964. Ky projekt do të rrezikonte biodiversitetin dhe habitatet natyrore më të rëndësishme në brigjet e Adriatikut.

 

Projekti i kompanisë Mabetex përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve. Projekti ka nisur të hartohet që nga viti 2012, por së fundmi duket se kompania ka gjetur simpati mes qeverisë dhe opozitës dhe po kryen procedurat formale para se të kërkojë miratimin në qeveri.

“Në zonat e mbrojtura nuk lejohen ndërtime me intensitet të lartë siç parashikohen në projektin e propozuar; megjithatë, ligji i ri për Zonat e Mbrojtura i miratuar me ngut nga parlamenti në fund të legjislaturës ka dy nene kontradiktore 49 dhe 50, që lenë hapësirë për abuzime”, tha Taulant Bino, drejtues i shoqatës Albania Ornthological Society, AOS.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për planet e prezantuara rishtazi për të ngritur një resort turistik brenda parkut kombëtar,” tha Schwarder nga EuroNatura.

Kujtim Mersini nga Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Shqipëri, PPNEA, u shpreh se spciet endemike në parkun Divjakë-Karavasta janë një pasuri e paçmueshme.

Olsi Nika, nga Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri- EcoAlbania, u shpreh se vendimmarrja për këtë projekt dhe informacioni i detajuar mungon. Për këtë shkak organizatat e shoqërisë civile pritet të përfshihen në një fushatë sensibilizuese me banorët e zonës, mbi ligjshmërinë e projektit, ndikimin që ai ka në Parkun Kombëtar, si dhe alternativat për një zhvillim të qëndrueshëm të zonës.

Artikulli është publikuar nga:

Reporter.al  Shqiptarja.com  Report TV  Tema Fax.al  

 

Më shumë