Solar në Kutë: Nis punën projekti i parë komunitar në Shqipëri për prodhimin e energjisë diellore

++Pas fushatës për mbledhjen e fondeve instalohen panelet diellore në çatitë e ndërtesave publike dhe rrugëve të fshatit Kutë si një alternative ndaj hidrocentraleve me përfitim për komunitetin dhe mjedisin++

3 dhjetor 2021, Kutë, Mallakastër. Me praninë e përfaqësuesve të Bashkisë Mallakastër, Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, EcoAlbania’s dhe banorëve të Kutës sot u zhvillua ceremonia e inagurimit të projektit “Solar në Kutë” në fshatin Kutë, Mallakastër. Projekti Solar në Kutë është një risi për Shqipërinë pasi është projekti i parë komunitar për prodhimin e energjisë diellore duke instaluar një sistem të pavarur të prodhimit të energjisë elektrike për të furnizuar me energji elektrike pesë ndërtesat publike të fshatit: Qendra Shëndetësore, Shkolla, Qendra Kulturore, Njësia Administrative dhe ndriçimi i qendrës dhe rrugëve të fshatit.

Solar në Kutë është një iniciativë e suksesshme e nisur nga EcoAlbania dhe partnerët e saj ndërkombëtar Euronatur dhe Riverwatch në 2020, për të zbatuar prodhimin e energjisë diellore në fshatin Kutë, në një nga komunitetet e prekur nga projekti i hidrocentralit të Poçemit në lumin Vjosa. Kjo ide nisi si një mënyrë për të dhënë mesazhin e fortë se komunitetet lokale mund të gjejnë alternativa të tjera për të prodhuar energjinë e tyre pa i cënuar jetesën”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. 

Pas më shumë se një viti mbledhje fondesh, falë fushatës crowdfunding dhe financimit ndërkombëtar, projekti Solar in Kutë tashmë është zbatuar dhe nis sot zyrtarisht prodhimin e energjisë – duke sjellë energjinë diellore në Kutë si një alternativë ndaj hidrocentraleve duke shërbyer edhe si një shembull i mirë për t’u zbatuar në zona të tjera në Shqipëri.

“Më vjen mirë që partneriteti ynë i fortë me shoqërinë civile të përfaqësuar nga EcoAlbania, komuniteti i Kutës dhe bashkia Mallakastër në realizimin e teknikave moderne si panelet fotovoltaike në çati, ka sjellë përfitime të qarta dhe të prekshme për qytetarët dhe mjedisin: kosto më e ulët e energjisë, reduktim i emetimeve dhe ndotjes nga karboni, cilësi më e mirë e jetës dhe fshatra më tërheqës. Ne besojmë se nisma e Solar në fshatin Kutë ka krijuar modelin e parë frymëzues të energjisë në pronësi komunitare në Shqipëri që do të ndiqet nga komunitete dhe bashki të tjera.”, tha Zv. Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Patrik Meier.

“Falë bashkëpunimit mes Bashkisë Mallakastër dhe EcoAlbania’s me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe donatorëve të tjerë, u bë i mundur ky investim në fshatin Kutë. Lumi Vjosë si një pasuri tashmë e ndërkombëtarizuar, falë edhe të punës së EcoAlbania’s duhet që të prodhojë mirëqenie për banorët që jetojnë këtu, duke ruajtur ekuilibrin me natyrën. Mendoj se opsioni më i mirë për ta zhvilluar këtë zonë është zhvillimi i aktiviteteve miqësore me mjedisin, konkretisht të sporteve lumore dhe sipërmarrje të tjera publike dhe turistike të cilat janë miqësore me mjedisin”, tha Zamir Malasi, N/Kryetari i Bashkisë Mallakstër.

Duke përdorur çatitë e ndërtesave, ne synojmë të ndryshojmë të ardhmen e fshatit nga pikëpyetja e ekzistencës së tij drejt ndërtimit të një modeli miqësor ndaj mjedisit dhe ekonomikisht të zbatueshëm të komunitetit të energjisë së rinovueshme”, shtoi Olsi Nika.