Si t’i drejtohemi gjykatës- Trajnimi i OSHC-ve lokale

Më 5 Tetor 2016 u zhvillua në Përmet trajnimi ‘E drejta për t’ju drejtuar gjykatës për çështjet mjedisore’, pjesë e  serisë së trajnimeve të zhvilluar në kuadër të projektit HELP-CSO (Forcimi i Legjislacionit Horizontal dhe Promovimi i OSHC-ve). Tematika e trajnimit lidhej me aftësimin e organizatave lokale në aksesin në drejtësi dhe të drejtën për t’ju drejtuar gjykatës për çështje mjedisore. Trajnimi ishte konceptuar bazuar mbi një analizë të bërë rreth mungesës së njohurive që kanë OSHC-të mbi legjislacionin horizontal, raporti i të cilës do të publikohet në fund të projektit.

Gjatë trajnimit të OSHC-ve lokale. (c) LexFerenda

Pjesëmarrësit në trajnim, kryesisht nga shoqëria civile, biznesi dhe Bashkia Përmet shprehen interes për njohuri më të thelluara mbi të drejtën për t’ju drejtuar gjykatës si dhe u ushtruan në punë në grupe për plotësimin e një Formulari Kërkese për Informacion dhe Formular Ankese duke përzgjedhur një problematikë të caktuar. Gjatë muajit Tetor, 2016 do të testohen njohuritë e marra nga pjesëmarrësit nëpërmjet një pyetësori për të evidentuar më pas shkallën e aftësimit të të trajnuarve.

Organizatat kërkuan më shumë bashkëpunim me projektin që ka si prioritet ofrimin e asistencës ligjore falas për çështjet mjedisore që do të evidentohen gjatë periudhës 1 vjeçare të tij. Pjesë e trajnimit ishte dhe një vizitë në terren, pranë HEC-it të Lanagaricës ku u demonstruan metoda praktike të matjes së parametrave të ujit, në ndihmë të OSHC-ve  për të lehtësuar proçeset e tyre të monitorimit.

Ky trajnim u zhvillua nga Lex Ferenda, Milieukontakt Shqipëri dhe EcoAlbania në kuadër të projektit ACHIEVE, implementuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Nga Odeta Jahaj / LexFerenda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *