Shqipëria e konçesioneve. Vjosa- viktima e radhës

Hapet procesi i tenderimit për dhënien e konçesionit të hidrocentralit të Poçemit në lumin Vjosa.

Në buletinin zyrtar të Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve Publike është publikuar dje njoftimi për hapjen e procedurës për dhënien me konçesion 35 vjeçar për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosa. Ndërkohë më parë, në 29 korrik 2015, Qeveria miratoi pranimin e një kërkese të pa kërkuar nga kompania turke Çinar-San për ndërtimin e këtij projekti. Kompania në fjalë, ka fituar të drejtën e një bonusi prej 8 % edhe pse është një kompani me kapacitete modeste dhe nuk ka përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të hidrocentraleve, apo të energjisë në përgjithësi.

Gjatë protestës në lumin Vjosa. (c) EcoAlbania

Kërkesës së banorëve të luginës së Vjosës për shpalljen e saj Park Kombëtar, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, Kryeministri Rama i është përgjigjur pozitivisht duke premtuar se: “Do transformojmë luginën e Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizmi nga hidrocentralet dhe të zhvillohet turizmi, ekonomia, bujqësia, të fuqizohet ekonomia familjare duke rritur numrin e vizitorëve në këtë park të madh të Vjosës.”

Por me sa duket, barbarizmi mbi lumin Vjosë- zemrën blu të Evropës fatkeqësisht vazhdon duke shkatërruar në mënyrë përfundimtare një nga vlerat më të mëdha të trashëgimisë  natyrore kombëtarë dhe Evropiane.

“Ky është një vendim i marrë në arbitraritet të plotë duke shpërfillur mesazhet e qarta nga BE por edhe nga ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri dhe Evropë” thotë Olsi Nika, përfaqësues i EcoAlbania dhe koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Beteja për lumin Vjosa tashmë nuk është më vetëm një çështje kombëtare por edhe Evropiane, pasi Vjosa përfaqëson një ekosistem unik në të gjithë kontinentin.

“Ndërtimi i HEC-it në Poçem do t’i jepte fund vizionit për parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë dhe do të minonte zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e gjithë luginës së Vjosës” tha Ulrich Eichelmman, nga OJF austriake RiverWatch.

Informacion shtesë:

HEC-i i Poçemit është një nga 8 digat e planifikuara të ndërtohen mbi lumin Vjosa, ndërkohë që numri i përgjithshëm i HEC-eve tw planifikuara në gjithë pellgun ujëmbledhës të Vjosës është 33. Fushata për mbrojtjen e lumit Vjosa është pjesë e fushatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve më me vlerë të gadishullit ballkanik. Më shumë se 630 HEC-e janë projektuar aktualisht nga Sllovenia në Shqipëri. Për t’ju kundërvënë kësaj vale shkatërrimi, “EuroNatur” dhe  “RiverWatch” kanë nisur fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me partnerët lokale në vendet respektive të Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *