Shkolla Verore Ndërkufitare

Të rinjtë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria bëhen pjesë e Shkollës Verore Ndërkufitare në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Namuna”

Shkolla verore ndërkufitare, pjesë e programit të edukimit mjedisor me të rinjtë, këtë verë u zhvillua në Rugovë në datat 18 – 23 korrik 2018 si një bashkëpunim ndërmjet EcoAlbania në Shqipëri, Balkans Peace Project (B3P) me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, organizatës ERA group në Kosovë dhe Green Home në Malin e Zi.

Rreth 20 pjesëmarrës nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria morën pjesë  në këtë shkëmbim rinor 6-ditor. Programi u zhvillua në Qendrën e Edukimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të organizatës ERA në malin Hajla, Rugovë. Të ndodhur në 2000 m lartësi, të rinjtë patën mundësi të përjetonin bukurinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Namuna” duke kuptuar rëndësinë e ruajtjes së natyrën në gjendje të egër.

Pjesëmarrësit gjatë aktiviteteve në “Qendën e Edukimit për zhvillim të Qëndrueshëm” në Hajla, Rugovë. (c) I. Angoni/EcoAlbania

Grupet e të rinjve prej shteteve të ndryshme u bënë pjesë e diskutimeve mbi temat e “nxehta mjedisore” dhe demostrimeve praktike të praktikave pro-mjedisore.

Rëndësi të veçantë pati shkëmbimi i informacionit dhe eksperiencave mbi zonat natyrore me rëndësi më të madhe në vendet e tyre; problematikat dhe kërcënimet që i kanosen këtyre zonave, si dhe punën e ndërmarrë për mbrojtjen e tyre.

Ndër eksperiencat më interesante që të rinjtë ndanë së bashku gjatë këtij programi, ishte ngjitja në këmbë në pikën më të lartë të Malit Hajla, në 2403 m lartësi. Prej kësaj pike, në njërën anë ata patën mundësi të shikonin fshatin Rozhajë në Malin e Zi, në anën tjetër malet e Pejës në Kosovë, madje, diku më tej edhe majën e malit Jezercë në Shqipëri.

Gjatë ngjitjes në majën e malit Hajla, 2403 m. (c) EcoAlbania

Pjesë e rëndësishme e programit veror ishte aftësimi i tyre për t’u përshtatur në mjedisin e jashtëm.  Ata u njohën me bazat e përgatitjes së një çante kampingu, materialet që nevojiten gjatë qëndrimit në terren, mënyrën e ngritjes së një çadre kampingu, përzgjedhjen e vendit të përshtatshëm për vendosjen e saj, mbajtjen pastër të mjedisit përreth, si dhe orientimin në terren duke përdorur vetëm një hartë dhe një busull.

Përmes këtij programi, përveç të tjerave, të rinjtë pjesëmarrës krijuan miqësi dhe kontakte të reja të cilat do t’u shërbejnë për të vazhduar punën për mbrojtjen dhe promovimin e zonës ndërkufitare Bjeshkët e Namuna/ Prokletije/ Alpet e Shqipërisë – zonë e cila formon Parkun Ballkanik të Paqes (Balkan Peace Park).