Rrugëtimi për mbrojtjen e lumit Vjosa dhe sfida për të ardhmen – bën bashkë ekspertët dhe shoqërinë civile

Njoftim për shtyp nga EcoAlbania

Aktorë të shumtë në mbrojtjen e Vjosës janë bërë bashkë sot në një konferencë të organizuar nga EcoAlbania në Tiranë, ku kanë diskutuar mbi problematikën e ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë dhe rëndësisë së pjesëmarrjes së komuniteteve të prekura në proceset e vendimmarrjes.  Rrugëtimi i deritanishëm për mbrojtjen e Vjosës ka qenë relativisht i gjatë dhe ka përfshirë shumë mbështetës të rëndësishëm të cilët kanë kontribuar që çështja e Vjosës të jetë sot një nga çështjet mjedisore më me rëndësi në Shqipëri dhe jo vetëm.Fitorja në gjykatën administrative të shkalles së parë për momentin është një nga rezultatet më pozitive që mund të priteshin nga komuniteti, OJF-të dhe publiku i gjerë. Megjithatë përpjekja për ruajtjen e Vjosës si një ekosistem i tërë mbetet një sfidë. Aktualisht, Vjosa rrjedh lirshëm në shtratin e saj prej 270 km, i pandërprerë nga ndërhyrjet e njeriut. “Nga investigimet tona të herë-pas-hershme kemi dalë në një shifër totale prej 33 HEC-esh, por nga informacionet e fundit që kemi mundur të sigurojmë ky numër ka shkuar në 42, një shifër që sa vjen e rritet”,- tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. Megjithëse në fokus të konferencës “Rrugëtimi për mbrojtjen e Vjosës dhe sfida për të ardhmen” ishte diskutimi mbi perspektivat për zhvillimin ndryshe në luginën e Vjosës, institucionet më të rëndësishme vendimmarrëse nuk ishin pjesë e diskutimeve.

Gjatë konferencës në Tiranë. (c) EcoAlbania

“Ju keni arritur të promovoni një kauzë të drejtë dhe keni vënë në lëvizje një proces të funksionimit institucional, dicka që është e re dhe e rrallë dhe dua të përgëzoj EcoAlbania-n për për prezantimin e një mënyre të re të lëvizjes së shoqërisë civile në Shqipëri”, tha Debora Kern, drejtore e qeverisjes vendore, pranë Ambasadës Zvicerane në Shqipëri.

Perpjekjet për mbrojtjen e Vjosës dhe angazhimin e komuniteteve të prekura nga HEC-et do të vazhdojnë duke shfrytëzuar fuqinë që i jep ligji banorëve dhe organizatave të shoqëreisë civile në këtë betejë të përbashkët. “Ne e kemi mbështetur që nga fillimi nismën për mbrojtjen e lumit Vjosa pasi në gjenezën e kësaj problematike qëndron mosrespektimi i të drejtave të komunitetit si aktor mjaft i rëndësishëm për forcimin e demokracisë lokale. Nga ana tjetër mjedisi është një ndër prioritetet që ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim në vijim”, tha Valbona Kuko, Drejtore ekzekutive e LëvizAlbania.

Një zë shumë i rëndësishëm në këtë diskutim ishte dhe zëri i ekspertëve të mjedisit, ligjit, gjeologjisë dhe medias të cilët theksuan dhe një herë rëndësinë që ka kjo çeshtje shumëdimensionale. Avokati Vladimir Meci, i cili përfaqëson në gjykatë banorët dhe OJF-të në betëjën kundër hidrocentralit të Poçemit u shpreh se “Është momenti që të krijohet një bërthamë mes ekpertëve të fushave të ndryshme ashtu si edhe në këtë konferencë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi për të shmangur dhunimin e mjedisit dhe për të ushqyer eduaktën e ndëshkuesmërisë në vend”.

Pjesë e kësaj konference ishin edhe përfaqësues të komunitetit të luginës së Vjosës të cilët u shprehën se do të vazhdojnë protestat paqësore dhe betejën ligjore deri në anulimin përfundimitar të HEC-eve në Vjosë.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit AKTIV-Angazhimi i Komunitetit tregues i Integrimit në Vendim-marrje dhe financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë vendore nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *