Rrjetet e organizatave mjedisore publikojnë raportin për zgjedhjet: partitë politike nuk kanë në fokus mjedisin

Njoftim për shtyp nga rrjetet e organizatave mjedisore:

ECIM, Mbrotja e Natyrës, Një sy për Mjedisin, Menaxhimi i Shërbimeve Mjedisore

Gjatë periudhës 20 maj – 20 qershor 2017, ne, 30 organizata mjedisore ndërmorëm një iniciativë për të vëzhguar fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017 për të studiuar dhe kuptuar ofertën politike të subjekteve pjesëmarrëse mbi çështjet që lidhen me mjedisin, mbrojtjen e tij. Mjedisi është një tërësi çështjesh që lidhen drejtpërdrejtë me faktorë bazë të jetës në planet, dhe ndikojnë po ashtu, ose në mënyrë të tërthortë në hartimin dhe zbatimin e duhur të politikave publike sektoriale dhe ndërsektoriale.

Nga studimi i dokumenteve të publikuara nga subjektet politike pjesëmarrëse, si programe, deklarata, opinione e komunikime, gjatë periudhës në fjalë, konstatojmë përfundimet e mëposhtme në lidhje me mjedisin:

  1. Subjektet politike që garojnë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2017 në Republikën e Shqipërisë nuk japin një përgjigjje konkrete në programet dhe/ose platformat e tyre për reduktimin e pasojave negative nga avancimi i infrastrukturës së transportit [ujor, rrugor, ajror] në nivel lokal dhe kombëtar në Shqipëri;
  2. Subjektet politike respektive pranojnë situatën shqetësuese në lidhje me mbrojtjen e pyjeve dhe lumenjve në Shqipëri. Megjithëse në disa zona të vendit, madje edhe të mbrojtura, janë realizuar ose projektuar ndërhyrje në mjedis duke ndikuar negativisht në biodiversitet, përmes ndërtimit të HEC-eve , resorteve turistike, vendosjes së incineratorëve për mbetjet, qëndrimi i subjekteve nëse nuk mungon, është minimalist: Ato shprehen se do të ndëshkojnë subjektet kur nuk respektojnë kontratat e punëve për realizimin e këtyre ndërhyrjeve, pa detajuar masa konkrete për mbrojtje të burimeve natyrore në fjalë;
  3. Subjektet politike nuk ofrojnë një përgjigjje për reduktimin e pasojave negative nga avancimi i infrastrukturës së teknologjisë së telekomunikacionit, dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri;
  4. Subjektet politike nuk japin përgjigje mbi masat urgjente konkrete kundër ndotjes mbi normat e ajrit në Tiranë dhe çdo qëndër tjetër urbane që rrezikohet njësoj;
  5. Pavarësisht nga dështimet, subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje 2017 nuk kanë një përgjigje në lidhje me administrimin e duhur në nivel kombëtar dhe lokal, në kohë dhe me efiçencë të emergjencave civile (fatkeqësi natyrore dhe/ose të shkaktuara nga njeriu) në Shqipëri;
  6. Në lidhje me administrimin e mbetjeve, importimin dhe riciklimin e tyre, higjenën në hapësira publike, çlirimin e CO2 nga mjetet e papërshtatshme të transportit publik dhe privat në nivel bashkie, përgjigjja e subjekteve politike, mbetet e kufizuar në anullimin e ligjit ekzistues për mbetjet dhe avancon deri në një alternativë të dytë për një moratorium të importimit të mbetjeve. Bujqësia është një temë e rëndësishme e përfshirë në disa prej programeve të subjekteve të studiuara. Identifikohen masa dhe prioritete në sektor, megjithatë pikëprejet e sektorit me çështje kritike si siguria ushqimore, përdorimi i qëndrueshëm i produkteve për mbrojtjen e bimëve, mbrojtja e shëndetit publik nga preparatet kimike, mbeten të patrajtuara, ose të detajuara në mënyrë gjenerike.
  7. Subjektet politike në asnjë prej dokumenteve të shqyrtuara nuk paraqesin masa dhe instrumente konkrete për të respektuar/garantuar të drejtën e shtetasve për informim mbi çështje mjedisore dhe vendimmarrjen përkatëse, si një e drejtë e shprehur në kushtetutë dhe e garantuar edhe në bazë të angazhimeve shtetërore përmes ratifikimit të instrumenteve ligjore ndërkombëtare.

Nisur nga këto konstatime dhe problematika e evidentuar, komunikimi i mangët i subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje, ne organizatat mjedisore, antare të 4 rrjeteve ECIM, Mbrotja e Natyrës, Një sy për Mjedisin, Menaxhimi i Shërbimeve Mjedisore shprehim shqetësimin tonë që megjithë problematikën mjedisore tashmë të njohur, kjo tematikë gjen një vend të pamjaftueshëm në programet dhe platformat politike të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Republikën e Shqipërisë.

Ndërkohë konfirmojmë angazhimin tonë serioz për të monitoruar zbatimin e programeve të subjekteve politike fituese në zgjedhje, vendimmarrjen në çdo nivel të qeverisjes si pjesë e vëzhgimit, informimit dhe diskutimit publik mbi çështje mjedisore me interes për të gjithë.

Kjo analizë realizohet nga organizata Milieukontakt Shqipëri  në kuadër të projektit: “Informim-Komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm”, si pjesë e programit SENiOR – II, i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit  REC Shqipëri me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *